Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Delivery”, për goditjen e një rasti të trafikimit të lëndëve narkotike nga SHBA-ja, me qëllim shitjen në Shqipëri.

Identifikohet dhe vihet në pranga 20-vjeçari, i cili kishte porositur një pako me Cannabis me përqindje të lartë THC.

Në vijim të operacioneve për goditjen e rasteve të trafikimit të lëndës narkotike Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, nën drejtimin e Prokurorisë, si dhe në bashkëpunim me filialin “Qendra Tranzite” të Postës Shqiptare, finalizoi operacionin policor të koduar “Delivery”.

Në kuadër të këtij operacioni, pas një hetimi të kryer për rastin, u bë i mundur identifikimi i shtetasit D. S., 20 vjeç, banues në Bathore, si porositës i pakos me 4 kg e 641 gramë Cannabis me përqindje të lartë THC, e dyshuar se ishte trafikuar nga SHBA-ja. Në vijim të veprimeve procedurale, 20-vjeçari u vu në pranga nga shërbimet e Policisë.

Pakoja, e cila përmbante 8 paketime me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis, me peshë totale 4 kg e 641 gramë, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Nga ana e Policisë po vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds