Partia Socialiste ka zyrtarizuar në Kuvend projektligjin për Reformën e re Administrativo-Territoriale. Nisma parashikon uljen e numrit të përgjithshëm të bashkive nga 61 në 46, përmes shkrirjes dhe bashkimit të 15 bashkive më të vogla me qendra më të mëdha administrative.
Ky propozim vjen në një kohë kur debati mbi efikasitetin e decentralizimit të vitit 2014 ka qenë në qendër të vëmendjes politike dhe ekonomike.
Për vite me radhë, institucionet ndërkombëtare dhe ekspertët e pushtetit vendor kanë ngritur shqetësimin se shumë prej 61 bashkive të krijuara në reformën e kaluar vuajnë nga mungesa e të ardhurave të veta, kapacitetet e pamjaftueshme administrative dhe mbështetja e lartë financiare nga buxheti qendror.
Mazhoranca synon që përmes këtij konsolidimi të ri të adresojë pikërisht këto sfida, duke ulur shpenzimet administrative dhe duke i dhënë frymëmarrje investimeve publike në nivel lokal.
Sipas draftit të dorëzuar në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, skema tradicionale zëvendësohet me konceptin e ri Bashki-Qytet-Njësi Administrativet.
Ky model ruan bashkinë si e vetmja njësi e vetëqeverisjes vendore me një buxhet, një këshill dhe një kryetar, por krijon nivelin e ri organizativ të Qytetit për të garantuar më shumë përfaqësim, duke çuar në total numrin e tyre në 46 bashki, 71 qytete dhe 387 njësi administrative.
Në paketën e ndryshimeve, 28 bashki ekzistuese konsolidohen në 13 bashki të reja, ndërsa 15 bashki humbasin statusin e tyre të deritanishëm për t’iu bashkuar bashkive fqinje.
Konkretisht, procesi i shkrirjes prek Fushë-Arrëzin, Klosin që i bashkohet Matit, Rrogozhinën, si dhe Dimalin e Poliçanin që kalojnë nën administrimin e Beratit.
Po ashtu, Patosi i bashkohet Fierit dhe Divjaka i bashkohet Lushnjës, ndërsa në jug dhe qendër të vendit parashikohet bashkimi i Selenicës me Vloren, Maliqit me Korçën, Këlcyrës me Përmetin, Memaliajt me Tepelenën, Libohovës me Gjirokastrën, Cërrikut dhe Belshit me Elbasanin, si dhe Përrenjasit që i bashkohet Librazhdit.
Propozimi i socialistëve është përcjellë tashmë për njohje dhe konsultim edhe te kryetarët e bashkive dhe këshillat përkatës.
Për shkak të implikimeve të drejtpërdrejta në buxhetet vendore, përfaqësimin politik lokal dhe afërsinë e shërbimeve për qytetarët, ky ndryshim pritet të shoqërohet me debate të forta në Kuvend dhe tryezat e interesit gjatë muajve në vijim.
