Që nga fundi i majit, protestat kundër qeverisë në Shqipëri janë shndërruar në mobilizimin më të madh qytetar që prej rënies së regjimit diktatorial në fillim të viteve 1990. Ndërsa mediat tradicionale kanë zgjedhur kryesisht heshtjen, hapësira digjitale është bërë njëkohësisht strehë për protestën dhe terren ku testohet autoritarizmi digjital.

Më 30 maj, në Shqipëri shpërthyen protesta si reagim ndaj një projekti luksoz në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë, i lidhur me investime të mbështetura nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, si dhe nga një rrjet biznesesh të fuqishme vendase dhe individësh me një histori problemesh ligjore.

Ajo që nisi si një protestë mjedisore u shndërrua në një lëvizje të njohur si “Revolucioni i Flamingove”, emër që i referohet një prej shumë specieve të shpendëve që banojnë në këtë zonë të mbrojtur bregdetare.

Krahas kërkesave për mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e biodiversitetit, lëvizja ka evoluar në një shprehje të pakënaqësisë kolektive ndaj status quo-së, duke bërë thirrje për llogaridhënie, transparencë dhe ndryshim politik.

Duke refuzuar çdo lidhje me forcat politike që kanë dominuar skenën politike shqiptare për më shumë se tre dekada, protestuesit e kanë paraqitur lëvizjen si një nismë të pavarur qytetare. Për më shumë se 50 ditë rresht, ata kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë, të cilët i konsiderojnë të korruptuar.

Në një mjedis ku mediat tradicionale të kapura zgjodhën heshtjen në vend të shqyrtimit kritik, si revolucioni ashtu edhe represioni janë kthyer drejt arenës digjitale.

Protestat nisën në një ligatinë të mbrojtur, u zhvendosën në rrugë dhe u zhvilluan njëkohësisht në mijëra ekrane.

Në mbarë botën, e drejta për tubim paqësor nuk kufizohet më vetëm në hapësirat fizike; ajo ushtrohet përmes rrjeteve sociale, transmetimeve të drejtpërdrejta (livestream) dhe komuniteteve online. Në Shqipëri, ky orientim drejt hapësirës digjitale ishte njëkohësisht një nevojë dhe një zgjedhje e qëllimshme, në një kontekst të karakterizuar nga përqendrimi i pronësisë së mediave dhe hapësira e kufizuar për një diskurs publik të pavarur.

Raportet tregojnë se pronarët kryesorë të mediave, të cilët shpesh gëzojnë statusin e “investitorit strategjik” ose përfitojnë leje ndërtimi fitimprurëse nga qeveria, i kanë injoruar në masë të madhe protestat ose i kanë paraqitur ato përmes të ashtuquajturës “paradigmë e protestës”, duke margjinalizuar pjesëmarrësit.

Si pasojë, platformat digjitale janë bërë infrastrukturë thelbësore për lëvizjen, duke u mundësuar qytetarëve të anashkalojnë filtrat e mediave tradicionale dhe të dokumentojnë ngjarjet në kohë reale – nga mobilizimi dhe koordinimi i protestave deri te raportimi i abuzimeve, si dhuna policore dhe kërcënimet.

Megjithatë, kjo dukshmëri është përdorur si armë nga shteti. Me rritjen e lëvizjes, qeveria e ndryshoi strategjinë nga injorimi i mesazhit në sulmin ndaj vetë bartësve të tij, duke përdorur peshën e institucioneve për të ndërmarrë një seri sulmesh të koordinuara digjitale me synim diskreditimin e lëvizjes.

Kur pushteti ndihet i kërcënuar, ai krijon armiq

Një nga tiparet dalluese të autoritarizmit digjital është përdorimi i pushtetit shtetëror për të shtrembëruar faktet dhe për të shtypur mendimin ndryshe.

Gjatë muajve qershor dhe korrik, kryeministri Edi Rama dhe aleatët e tij në Partinë Socialiste i kushtuan qindra postime në rrjetet sociale kësaj strategjie, duke shfrytëzuar dukshmërinë institucionale, burimet publike dhe kanalet e komunikimit të financuara nga taksapaguesit për të vënë në shënjestër aktivistë dhe qytetarë, vetëm sepse ushtruan të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar kundër abuzimit të pretenduar me pushtetin dhe korrupsionit.

Narrativa fillestare ndoqi një taktikë klasike autoritare: paraqitjen e kundërshtimit të brendshëm si produkt të ndërhyrjes së huaj. Përfaqësues të qeverisë pretenduan se protestat po organizoheshin ose mbështeteshin nga aktorë të huaj, përfshirë Greqinë, Iranin, Rusinë dhe Serbinë, në përpjekje për të vënë në dyshim legjitimitetin e protestuesve dhe për t’i paraqitur ata si instrumente të interesave të jashtme, e jo si qytetarë që shprehnin pakënaqësi të vërteta.

BIRN ka dokumentuar të njëjtën skemë të përdorur për të diskredituar kritikët e qeverisë në Turqi, Serbi dhe Hungari. Ajo që duket se është “importuar” në këto protesta nuk është zemërimi, as njerëzit që e shprehin atë, por taktikat e represionit digjital të përsosura nga disa prej këtyre regjimeve.

Megjithatë, “agjentët e huaj” në fjalë ishin shqiptarë që mbërrinin në protestë pas përfundimit të orarit të punës, shpesh të shoqëruar nga fëmijët e tyre.

Hapësira digjitale u përdor gjithashtu si armë për të ekspozuar dhe poshtëruar qytetarë, aktivistë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe gazetarë, duke cenuar privatësinë e tyre, duke i frikësuar dhe duke përcjellë mesazhin se kritika ndaj pushtetit mund të sjellë sulme publike dhe dëmtim të reputacionit.

Organizatat e shoqërisë civile identifikuan një praktikë të përsëritur, ku protestuesit fotografoheshin, identifikoheshin me emër dhe etiketoheshin si “të infiltruar politikisht” ose “të lidhur me interesa të fshehta apo financiare”.

Vetë Rama publikoi në llogaritë e tij në rrjetet sociale fotografi dhe të dhëna personale të protestuesve, përfshirë informacione sensitive mbi dosjet e tyre gjyqësore, në kundërshtim me kufizimet ligjore mbi përpunimin dhe publikimin e paautorizuar të të dhënave personale.

Ardit Bido, deputet i Partisë Socialiste, përdori një postim publik për të sulmuar Kristina Vokon, drejtoreshën ekzekutive të BIRN Albania, pas kontributit të saj në një seancë dëgjimore parlamentare.

Në vend që t’u përgjigjej shqetësimeve të saj lidhur me detyrimet e transmetuesit publik, Bido e shtrembëroi ndërhyrjen e saj duke i dhënë një interpretim etnik, duke e paraqitur atë si “të dyshimtë”, “antikombëtare” dhe të lidhur me “interesa të huaja”.

Kur 25 organizata të shoqërisë civile protestuan ndaj këtij sulmi, Bido e përshkallëzoi retorikën, duke i etiketuar organizatat e pavarura mbikëqyrëse si “aktorë të financuar nga jashtë”, që synojnë përfitime financiare përmes “viktimizimit”.

Edhe gazetari i BIRN Albania, Gjergj Erebara, u vu në shënjestër për pjesëmarrjen në protesta dhe për shprehjen e opinioneve të tij personale online. Ai u bë objekt i sulmeve në rritje nga biznesmeni Gjergj Luca dhe deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Angazhimi qytetar i Erebarës u përdor si pretekst për të ushtruar presion ndaj BIRN-it, i cili ka raportuar gjerësisht mbi protestat dhe, njëkohësisht, ka investiguar pretendimet për korrupsion që lidhen me projektin e kontestuar.

Deputeti Balla e rriti më tej presionin duke përmendur publikisht donatorët e BIRN-it dhe duke deklaruar se synonte t’i kontaktonte ata drejtpërdrejt – një taktikë e projektuar për ta nënshtruar redaksinë ndaj presionit politik dhe financiar.

Fushata e sulmeve digjitale ka pasur edhe një dimension të qartë gjinor. Rama përdori video virale për të tallur dhe imituar influencerë, kryesisht gra, të cilat kishin publikuar përmbajtje në mbështetje të protestave. Përmes një diskursi seksist dhe gjuhës denigruese të trupit, ai e karikaturoi kundërshtimin, duke i shndërruar ankesat serioze politike në objekt talljeje në rrjetet sociale.

Pasojat konkrete të kësaj forme bullizmi shtetërore u panë në rastin e deputetes Marjana Koceku. Brenda dy ditësh nga njoftimi i dorëheqjes së saj nga partia në pushtet për të mbështetur protestat, ajo u përball me një valë gjuhe urrejtjeje, ku u etiketua si “tradhtare”, ndërsa sulmet u përshkallëzuan në kërcënime të drejtpërdrejta ndaj jetës së saj.

Mesazhi është i qartë: përballë pushtetit shtetëror, heshtja është më e sigurt se kundërshtimi.

Kur gjithçka tjetër dështon, kriminalizohet kritika

Veçanërisht shqetësues është fakti që pushteti institucional po përdoret për të kërcënuar me kriminalizimin e pjesëmarrjes në jetën publike dhe të ushtrimit të lirisë së shprehjes.

Në korrik, biznese që perceptoheshin si të afërta me qeverinë, përfshirë Rozafa Fish City në pronësi të biznesmenit Gjergj Luca, u përballën me një valë vlerësimesh (review) me një yll në Google. Ky ishte kryesisht një reagim ndaj mënyrës se si vetë Luca kishte keqpërdorur hapësirën digjitale, duke publikuar video ku shfaqeshin të mitur duke punuar në kantieret e tij të ndërtimit dhe duke përdorur imazhet e tyre për qëllime promovuese.

Në reagim ndaj këtyre vlerësimeve negative, Policia e Shtetit nisi një hetim ndaj mbi 10 mijë llogarive në rrjetet sociale, duke iu referuar “aktivitetit të dyshimtë”.

Pronarë biznesesh dhe zyrtarë i cilësuan këto vlerësime si një “sulm terrorist” dhe “sabotim të organizuar”, duke shkaktuar shqetësim tek ekspertët e sigurisë, të cilët argumentojnë se një vlerësim negativ është një formë e zakonshme e shprehjes në hapësirën digjitale dhe nuk përmbush kriteret për t’u konsideruar “krim kibernetik”. Trajtimi i një bojkoti konsumator apo politik si çështje penale përbën një tejkalim të rrezikshëm të kompetencave, që rrezikon ta shndërrojë çdo ndërveprim digjital në një dosje të mundshme policore.

Ky reagim sjell ndër mend paralele shqetësuese me Emiratet e Bashkuara Arabe, ku autoritetet, sipas raportimeve, arrestuan në vitin 2024 një person në Abu Dabi për një vlerësim të publikuar në internet ndaj një salloni për kujdesin e qenve. Nga vende me bilance problematike në fushën e të drejtave të njeriut, Shqipëria duket se po importon jo vetëm teknologji të debatueshme të mbikëqyrjes, por edhe frymëzim për keqpërdorimin e ligjit si mjet për të ndëshkuar fjalën e lirë.

Vlen të theksohet se qeveria Rama i ka rezistuar vazhdimisht dekriminalizimit të plotë të veprave të shpifjes dhe fyerjes, një qëndrim që duket me leverdi për ata që janë në pushtet.

Presioni institucional u shtri edhe ndaj atyre që u ofronin mbështetje ligjore dhe profesionale protestuesve. Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, përdori Facebook-un për të kërcënuar publikisht avokatin Gentian Sejrani me ndjekje penale për “nxitje të urrejtjes”.

“Krimi” i pretenduar i Sejranit ishte raportimi në media, në përputhje me detyrimet e tij profesionale dhe me udhëzimet e qarta të klientit, i pretendimeve të këtij të fundit për abuzim gjatë qëndrimit në paraburgim. Kërcënimet, të cilat përfshinin edhe thirrje për rishikimin e licencës së tij për ushtrimin e profesionit të avokatit, u kritikuan si të papajtueshme me Parimet Themelore të OKB-së për Rolin e Avokatëve.

Represioni ndaj kritikëve nuk kufizohet vetëm në hapësirën digjitale. Ai është ushtruar edhe në terren, përmes ndërhyrjeve policore, ndalimeve, arrestimeve dhe procedimeve penale. Gazetarë dhe punonjës të medias që kanë mbuluar protestat janë përballur me sulme dhe pengesa nga policia, përfshirë ndalimin e një gazetareje gjatë raportimit. Protestuesit kanë denoncuar ngacmime dhe dhunë policore, ndërsa qytetarë dhe aktivistë janë arrestuar ose janë vënë nën procedim penal për pjesëmarrjen e tyre në protesta.

Përfundimi është i qartë: kur institucionet shndërrohen në mjete intimidimi, ata që mbrojnë interesin publik mbeten të pambrojtur pikërisht përballë atij pushteti të cilin përpiqen ta mbajnë përgjegjës.

Fantazma, luftë dhe algoritmi si armiku i ri

Përveç kërcënimeve të drejtpërdrejta, në hapësirën digjitale ka vërshuar edhe një fushatë e koordinuar dezinformimi, me synimin për të fragmentuar mbështetjen publike për “Revolucionin e Flamingove”.

Narrativa e qeverisë mbështetet në një pretendim qendror: Shqipëria është nën sulm, në kuadër të një lufte hibride.

Të parët erdhën “agjentët e huaj”.

Faqe anonime në Facebook dhe politikanë përhapën teori konspirative për ndërhyrje të huaja, ndërsa protestuesit u etiketuan si “agjentë rusë”, “iranianë”, “serbë”, “grekë”, “marksistë”, “antiamerikanë”, “antisemitë” dhe “kundër biznesit”.

U shpërndanë fotografi të rreme ose manipuluese për ta paraqitur protestën si një grumbullim të vogël, dhe jo si mobilizim masiv. Gjithashtu, u përdorën imazhe të gjeneruara me inteligjencë artificiale, që pretendonin të tregonin autobusë që hynin në Shqipëri nga Greqia, për të mbështetur pretendimin se protesta ishte “organizuar nga Athina”.

Pastaj erdhën fantazmat.

Portale mediatike publikuan analiza politike të nënshkruara nga autorë të paverifikueshëm, që shkruanin nën emra të rremë – figura që shfaqen kryesisht në periudha krizash për të promovuar narrativa në përputhje me qëndrimet e qeverisë. Kjo praktikë krijon një iluzion pluralizmi, me identitete fantazmë që ndikojnë në debatin publik, duke ua bërë të pamundur qytetarëve të vlerësojnë konfliktet e mundshme të interesit.

Më pas erdhi algoritmi.

Rama i shtoi edhe një shtresë mjegullës së krijuar, duke fajësuar “proletariatin e algoritmit” për zemërimin publik. Sipas këtij interpretimi, kundërshtimi nuk është pasojë e dekadave të korrupsionit, keqqeverisjes dhe pakënaqësive të akumuluara, por produkt i një force të padukshme digjitale që manipulon opinionin publik – një armik makineri, krahas atyre njerëzorë.

Ndërsa Rama ia atribuonte algoritmit zemërimin e qytetarëve, rrjete të lidhura me qeverinë duket se po manipulonin vetë algoritmet për të krijuar artificialisht përshtypjen e një mbështetjeje të gjerë publike.

Të dhënat e BIRN-it sugjerojnë se, në kulmin e protestave, platformat e rrjeteve sociale u përmbytën nga qindra llogari të rreme, të cilat njëkohësisht përforconin propagandën qeveritare dhe organizonin sulme të koordinuara kundër mbështetësve të protestës, përfshirë drejtues të opozitës Arlind Qorri dhe Agron Shehaj, këngëtaren Dua Lipa, deputeten Marjana Koçeku, aktivisten Sidorela Vatnikaj dhe të tjerë.

Rezultati është një përmbysje thellësisht distopike e realitetit. Autobusët mund të jenë të gjeneruar nga inteligjenca artificiale. Autorët mund të jenë fantazma. Turmat mund të vihen në dyshim përmes manipulimit digjital. Dhe zemërimi, me sa duket, mund t’i përkasë një algoritmi.

Ky është një tjetër tipar karakteristik i autoritarizmit digjital: kur e vërteta nuk mund të heshtet, ajo varroset nën aq shumë versione konkurruese të realitetit, saqë publiku mbetet i paaftë të dallojë se çfarë është e vërtetë dhe kujt mund t’i besojë.

Spektri i autoritarizmit digjital
Autoritarizmi digjital nuk është i kufizuar vetëm tek regjimet plotësisht autoritare. Ai shfaqet përgjatë një spektri praktikash, që variojnë nga manipulimi i informacionit dhe frikësimi i zërave kritikë deri tek kontrolli pothuajse i plotë i hapësirës digjitale. Në format e tij më ekstreme, ai mund të përfshijë ndërprerjen e internetit, bllokimin e rrjeteve sociale, censurën sistematike, mbikëqyrjen masive dhe përdorimin e programeve të sofistikuara të survejimit (spyware).

Shqipëria nuk ka arritur ende në këtë pikë. Megjithëse gjatë protestave u raportuan vazhdimisht probleme me aksesin në internet dhe funksionimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike – veçanërisht në fillim të qershorit 2026, në zonat dhe në oraret kur zhvilloheshin demonstratat – Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) i tha BIRN-it se nuk kishte gjetur prova për masa kufizuese, bllokuese, filtruese apo ngadalësuese të trafikut (throttling), ose forma të tjera të ngjashme ndërhyrjeje.

Megjithatë, Shqipëria tashmë ka shenjuar disa kuti të tjera të manualit të autoritarizmit digjital.

Më parë, vendi ka kufizuar aksesin në një platformë të rrjeteve sociale, një masë që më pas u shpall antikushtetuese.

Zyrtarë qeveritarë dhe përfaqësues të partisë në pushtet kanë vënë në shënjestër protestues, gazetarë, organizata të shoqërisë civile dhe avokatë; kanë ekspozuar të dhëna personale; e kanë paraqitur kritikën si produkt të ndërhyrjes së huaj; kanë sulmuar mediat e pavarura dhe organizatat e shoqërisë civile; kanë shpërndarë dezinformim dhe përmbajtje të krijuar nga inteligjenca artificiale; si edhe dyshohet se kanë përdorur llogari të rreme për të fabrikuar mbështetje publike dhe për të manipuluar algoritmet e platformave.

Hetimi i mijëra llogarive për shkak të vlerësimeve negative të publikuara në internet, i shoqëruar me kërcënime për procedime penale ndaj protestuesve dhe avokatëve, tregon një zhvendosje të mëtejshme drejt trajtimit të shprehjes digjitale si çështje sigurie ose penale.

Në të njëjtën kohë, vijojnë shqetësimet për mungesën e transparencës lidhur me përdorimin e teknologjive të mbikëqyrjes, si edhe për bashkëpunimin e Shqipërisë me kompani dhe regjime që kanë një bilanc problematik në fushën e të drejtave të njeriut. Këto shqetësime marrin rëndësi të veçantë në një kontekst ku garancitë ligjore që rregullojnë survejimin, mbledhjen e të dhënave dhe përdorimin e teknologjive të avancuara digjitale mbeten të vështira për t’u shqyrtuar nga publiku.

Autoritarizmi digjital rrallëherë shfaqet përmes një akti të vetëm dramatik. Ai zhvillohet gradualisht, ndërsa qeveritë kalojnë nga manipulimi i informacionit tek shënjestrimi i individëve, normalizimi i mbikëqyrjes dhe kriminalizimi i kritikës.

Shteti shqiptar mund të mos e kontrollojë ende plotësisht “sheshin publik digjital”. Por po e bën pjesëmarrjen në të gjithnjë e më të rrezikshme. Ushtrimi i të drejtave kushtetuese, lirisë së shprehjes dhe lirisë së tubimit, si në internet ashtu edhe jashtë tij, nuk duhet të ketë kosto.

“Revolucioni i Flamingove” ofron një pasqyrë të qartë të asaj që është në diskutim. E ardhmja e hapësirës qytetare do të jetë digjitale. Pyetja është nëse ajo do të mbetet demokratike./ BIRN

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds