Një video e publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqej një drejtuese automjeti duke lëvizur me shpejtësi mbi normat e lejuara, ka çuar në ndërhyrjen e Policisë Rrugore.
Në njoftimin e policisë thuhet se: U shoqërua në ambientet e Komisariatit të Policisë Divjakë drejtuesja e automjetit, së bashku me automjetin që drejtonte, dhe ndaj saj u mor masa administrative me gjobë në vlerën 80 000 lekë, për shkeljet e parashikuara nga Kodi Rrugor.
Gjithashtu si masë plotësuese, drejtueses së automjetit iu pezullua leja e drejtimit për një periudhë 12-mujore, pasi rezultoi se drejtonte një automjet me fuqi motorike më të lartë se ajo e lejuar për kategorinë e lejes së drejtimit që zotëron.
Policia Rrugore apelon sërish për respektimin rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të shkeljes së këtyre rregullave duke u garantuar reagim të menjëhershëm dhe veprim në përputhje me ligjin.
