Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetim ndaj zinxhirit komandues të Komisariatit të Policisë Divjakë, nën dyshimin për shpërdorim detyre, pas zbulimit të një parcele me lëndë narkotike në territorin e kësaj zone. Burime bëjnë me dije se materialet janë referuar në Prokurori, pasi dyshohet se drejtues të komisariatit nuk kanë ushtruar kontrollet dhe verifikimet e nevojshme për evidentimin në kohë të parcelës së mbjellë me kanabis.

Hetimi i AMP-së vjen pas operacionit të zhvilluar pak ditë më parë në vendin e quajtur “Rezervuari i Divjakës”, ku u zbulua një sipërfaqe toke shtetërore e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike. Gjatë ndërhyrjes në terren, shërbimet policore konstatuan dhe sekuestruan 1 426 bimë narkotike kanabis sativa të kultivuara në parcelë, ndërsa u gjetën gjithashtu edhe sasi të konsiderueshme lënde narkotike të përpunuar.

Sipas të dhënave gjatë operacionit u sekuestruan 37 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje, si dhe 7 kilogramë kanabis në formë boçesh. Këto prova kanë ngritur dyshime se në zonë nuk bëhej fjalë vetëm për kultivim të bimëve narkotike, por edhe për përpunim dhe tharje të lëndës narkotike, çka e rëndon më tej ngjarjen dhe rrit përgjegjësinë për strukturat që duhet të ushtronin kontroll mbi territorin.

Në këtë kuadër AMP ka nisur verifikimet për të përcaktuar nëse nga ana e zinxhirit komandues të Policisë Divjakë ka pasur neglizhencë, mosveprim apo shpërdorim detyre në lidhje me kontrollin e territorit dhe parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Hetimet pritet të përqendrohen te procedurat e ndjekura nga komisariati, kontrollet në terren dhe masat e marra për monitorimin e zonave problematike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds