Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të modernizimit të Forcave të Armatosura, gjatë ceremonisë së hapjes së Shkollës Kombëtare të Fluturimit në Bazën Ajrore të Rinasit.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se forcat e armatosura shqiptare janë aktualisht më të mirëpaguara në rajon, ndërsa shtoi se vendit tonë do t’i bashkohen helikopterë “Black Haëk”w
“Shkolla Kombëtare e Fluturimit çel dyert e saj. Dua në radhë të parë të falënderoj partnerët tanë, që na besuan dhe na u bashkuan.
Sot forca jonë e armatosur është më e mirëpaguara në rajonin tonë dhe ambicia jonë është që në rrugën drejt ‘Shqipëria 2030’ Forcat e Armatosura të jenë në mesataren e forcave të NATO-s për kontributin e shtetit, taksapaguesve për pagat e tyre.
Falë punës së përkushtuar të lidershipit të Ministrisë së Mbrojtjes jemi duke përjetuar një kapitull të ri. E kemi nisur këtë përpjekje me vështirësi të jashtëzakonshme për të afruar të rinjtë, sot është më e vështirë të zgjedhësh mes shumë kandidaturave dhe kjo shkollë është shembull tjetër. Kemi një numër të konsiderueshëm të interesuarish. Ministri i Mbrojtjes është ngarkuar të kërkojë nga homologu i Kosovës nëse ka interes për të stërvitur dhe certifikuar këtu. E njëjta gjë edhe për dy vende të tjera anëtare të NATO-s”, u shpreh ai.
Sakaq Rama foli për luftën ndaj zjarreve gjatë sezonit të verës, duke thënë ” Jemi gati për të përballuar sfidën e përvitshme të sezonit të nxehtë ku lufta me zjarret është e pashmangshme. Ndërkohë po punojmë për të shtuar kapacitete për sezonin. Me aktin normativ, një numër tjetër helikopterësh Black Hawk do t’i bashkohet Shqipërisë.
Së fundi, dua të them se ky është njëri hap. Hapi tjetër është shkolla kombëtare e Forcave Speciale. Përsëris, jemi në diskutime për të sjellë një nga ekselencat botërore të stërvitjes, nga Izraeli. Përsëri shkolla do jetë e hapur edhe për të tjerët”.
