Drejtoria e Tatimeve ka publikuar një informacion me pyetjet më të shpeshta nga bizneset për ligjin e faljes, i cili është në process zbatimi.
Si dhe kur kryhet pagesa për të përfituar fshirjen 50% apo 25% të principalit dhe gjobave e kamatëvonesave?
Ky konsiderohet përfitim me kusht për detyrimet tatimore të papaguara që i përkasin periudhës 2015–2019:
- Për të përfituar nga shuarja e 50% të detyrimit tatimor të papaguar, duhet të paguani me 1 këst të vetëm, nga data 10.06.2026 deri më 30.06.2026, pjesën e mbetur prej 50% të detyrimit principal të papaguar të çdo tatimi përkatës.
- Për të përfituar nga shuarja e 25% të principalit të papaguar, duhet të paguani nga data 10.06.2026 deri më 31.12.2026 vlerën e 75% të detyrimit principal të papaguar të çdo tatimi përkatës.
Në të dy rastet e mësipërme, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht.
Për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nuk falet detyrimi principal Nuk përfitojnë tatimpaguesit që janë të dënuar me vendim të formës së prerë ose janë në hetim apo proces gjyqësor për vepra penale në fushën tatimore dhe/ose doganore, para ose gjatë zbatimit të ligjit.
Kam gjoba dhe interesa për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, por kam paguar detyrimin principal. A përfitoj nga ligji?
Po, kur detyrimi tatimor (principali) rezulton 0 lekë, falen gjobat dhe kamatëvonesat që i përkasin periudhës deri më 31.12.2024, për çdo lloj tatimi, përfshirë edhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
A falet detyrimi principal për periudhat 2020–2024?
Për periudhat 2020–2024 nuk falet detyrimi principal, por falen gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që tatimi për periudhën përkatëse të paguhet i plotë (100% e principalit) nga data 10.06.2026 deri më 31.12.2026.
Kam një masë bllokimi të llogarive bankare për shkak të mospagesës në kohë të detyrimeve tatimore. Pas kryerjes së procedurave të kompensimit dhe/ose pagesave me kusht, nëse rezultoj pa detyrime, a duhet të bëj kërkesë për zhbllokim të llogarive bankare apo bankat do të njoftohen nga vetë Administrata Tatimore?
Në vijim të zbatimit të procedurave të shuarjes/fshirjes së detyrimeve tatimore të papaguara, Administrata Tatimore do të identifikojë periodikisht tatimpaguesit që rezultojnë pa detyrime tatimore dhe do të procedojë me heqjen e masave shtrënguese, përfshirë zhbllokimin e llogarive bankare.
Megjithatë, me qëllim përshpejtimin e procedurës administrative, tatimpaguesi mund të paraqesë një kërkesë për heqjen e masave shtrënguese përmes sistemit e-Filing, pasi të ketë verifikuar se nuk rezulton me detyrime tatimore të papaguara. Paraqitja e kërkesës mundëson shqyrtimin në kohë të situatës tatimore dhe ndërmarrjen e veprimeve përkatëse për heqjen e masave të vendosura.
Kam një vendim gjyqësor të formës së prerë, i cili është në favor të Administratës Tatimore dhe unë, si tatimpagues, kam ushtruar të drejtën e rekursit. Si kryhet procedura e heqjes dorë nga rekursi? Cilat janë veprimet që duhet të kryej për t’u tërhequr?
Referuar ligjit, nuk përfitojnë nga fshirja/shuarja e detyrimeve tatimore tatimpaguesit që kanë detyrime tatimore për të cilat ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë në favor të Administratës Tatimore, sipas legjislacionit në fuqi.
