Me këngë patriotike, kujtime dhe reflektime mbi veprën e pavdekshme të rilindasit të madh, Shoqata Kulturore Bektashiane Lushnjë përkujtoi 180-vjetorin e lindjes së Naim Frashërit në ambientet e bibliotekës së qytetit.

Aktiviteti u hap me interpretimet e këngëtarit Gëzim Xhaxhai të cilat sollën emocion dhe frymë atdhedashurie për të pranishmit. Më pas studiues, intelektualë, shkrimtarë dhe anëtarë të shoqatës referuan mbi jetën, krijimtarinë dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Naim Frashërit, si dhe rolin historik të vëllezërve Frashëri në formësimin e identitetit kombëtar shqiptar.

Pjesëmarrësit vlerësuan figurën e poetit si një udhërrëfyes shpirtëror të kombit duke theksuar se mesazhet e tij për dashurinë ndaj atdheut, gjuhës dhe kulturës mbeten po aq aktuale edhe sot.

Kryetari i Shoqatës Kulturore Bektashiane Lushnjë Kujtim Baze e cilësoi Naim Frashërin poet, mendimtar, ndërtues të gjuhës shqipe dhe arkitekt të ndjeshmërisë kombëtare, një figurë që vazhdon të frymëzojë brezat.

Nëpërmjet një videomesazhi, Kryegjyshi Botëror Baba Mondi përcolli mesazhe paqeje, harmonie dhe dashurie për atdheun, vlera që sipas tij janë trashëguar dhe promovuar ndër shekuj nga bektashizmi dhe rilindasit shqiptarë.

Shkrimtari Gëzim Baruti edhe Presidenti i Nderit të Shoqatës Kulturore Bektashiane Lushnjë Resul Prishta gjithashtu folën për figurën e Naim Frashërit dhe rëndësinë e aktiviteteve të tilla për ruajtjen e kujtesës historike dhe kulturore të kombit shqiptar.

Aktiviteti u mbyll me mesazhin se në historinë e qytetërimeve ka shkrimtarë që pasqyrojnë shpirtin e një kombi dhe të tjerë që e formësojnë atë. Naim Frashëri mbetet një prej figurave që jo vetëm e pasqyroi, por e ndërtoi ndërgjegjen kombëtare shqiptare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds