Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Krutje- Pushimi i Shoferit. Një mjet tip Benz ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në kanalin kullues me ujë. Babë e bir që udhëtonin në të janë ndihmuar nga banorët e zonës të cilët kanë hyrë në kanalin me ujë, kanë thyer xhamin dhe i kanë shpëtuar të dy.
Në momentin që kanë mbërritur zjarrfikësja dhe dy ambulanca dy të përfshirët në këtë aksident janë nisur me urgjencë në spitalin e Lushnjës.
Banorët e zonës pohojnë se këtu janë bërë disa aksidente, sepse ura mbi kanal nuk ka bordurë mbrojtëse ndonëse janë ankuar për këtë herë pas here.
Policia e qarkullimit rrugor po dokumenton ngjarjen për të zbardhur shkaqet që çuan në këtë aksident fatmirësisht pa pasoja në jetë njerëzish.
