Igli Tare, ish-futbollist i kombëtares kuqezi, është marrë i pandehur nga SPAK. Tare u paraqit në Prokurorinë e Posaçme paraditen e së enjtes, ku edhe iu komunikua akuza e pastrimit të parave. Ishte prokurori Dritan Prençi, i njëjti që po zhvillon hetimet lidhur me ish-zv.Kryeministren, Belinda Balluku që i ka komunikuar akuzën Tares.

SPAK nuk ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me çështjen, por disa ditë më parë, u mor në pyetje edhe vëllai i tij, Agron Tare. Ky i fundit ka qenë Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës dhe zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Agron Tare u pyet nga SPAK me cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit. 

Igli Tare prej vitesh jeton në Itali, ndërsa ai ka mbajtur funksione drejtuese në klubin e Lazios dhe Milanit, ku së fundmi është shkarkuar nga kuqezinjtë. Tare nuk ka mbajtur funksione shtetërore në Shqipëri por emri i tij u përfshi në hetimet e thelluara që Prokuroria Speciale nisi ndaj ish-zv.Kryeministres, duke kaluar në sitë pasurinë e saj.

Tare fillimisht u thirr për të dëshmuar, pasi konsiderohej nga Prokuroria Speciale, si person kyç  për hetimin, veçanërisht në aspektin e verifikimit të pasurisë së ish-zv.Kryeministres. Thirrja e tij për të dëshmuar u parapri nga disa kontrolle që hetuesit e BKH-së ushtruan ndaj personave të lidhur ose disa biznesmenëve, sa i takon dosjes “Balluku”. 

SPAK e thirri dy herë Igli Taren, por ish-futbollisti i kombëtare për shkak të qëndrimit jashtë vendit, herën e parë nuk u paraqit.

Hetimi mbetet në zhvillim, ndërsa SPAK po zgjeron verifikimet për të zbardhur lidhjet dhe përgjegjësitë e mundshme në dosje. 

SPAK nuk ka dhënë ende një informacion zyrtar lidhur me komunikimin e akuzës për Igli Taren, por edhe ky i fundit nuk ka bërë asnjë  reagim publik lidhur me akuzën e ngritur nga Prokuroria e Posaçme.

Ish-zv.Kryeministrja Belinda Balluku është marrë e pandehur nga SPAK për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, në lidhje me procedurat për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, ndërsa po hetohet edhe për lotet e projektit të Unazës së Madhe. Paralelisht, SPAK ka nisur edhe një hetim pasuror ndaj saj./ Pamfleti

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *