Aksi rrugor Levan–Tepelenë është përfshirë nga dy aksidente brenda 24 orëve të fundit duke lënë disa persona të lënduar dhe duke rikthyer shqetësimin për sigurinë në një nga rrugët më të frekuentuara drejt jugut të vendit.

Paraditen e sotme, rreth orës 09:40, në vendin e quajtur Varibop, një automjet tip “Volkswagen”, i drejtuar nga shtetasi K.M., ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga duke përfunduar në një kanal anësor. Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i mjetit mbeti i lënduar dhe u transportua në Spitalin Rajonal të Fierit për ndihmë mjekësore. Burime nga spitali bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, një ditë më parë, në afërsi të fshatit Fratar, pesë automjete, mes tyre edhe një kamper me turistë, u përfshinë në një aksident zinxhir. Nga përplasja mbetën të plagosur tre persona, dy shtetas gjermanë dhe një shtetas shqiptarë. Të lënduarit morën ndihmën e parë mjekësore, ndërsa dy prej tyre u transportuan drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.

Në të dyja rastet, në vendngjarje mbërritën forcat e policisë dhe grupet hetimore, të cilat po punojnë për të zbardhur rrethanat e aksidenteve. Paraprakisht dyshohet se shpejtësia mbi normat e lejuara ka qenë një nga shkaqet kryesore të aksidentit të ndodhur pranë Fratarit.

Aksi Levan–Tepelenë mbetet një nga segmentet më të ngarkuara gjatë sezonit veror, pasi përdoret gjerësisht nga pushuesit që udhëtojnë drejt bregdetit dhe zonave turistike të jugut të Shqipërisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds