Një person humbi jetën dhe disa të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi me dron iranian që goditi Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit, njoftoi Ministria e Jashtme e vendit arab.

Sipas autoriteteve, sulmi shkaktoi dëme të konsiderueshme në aeroport, ndërsa u prekën edhe misionet diplomatike të vendosura në zonë. Autoriteti i Aviacionit Civil bëri të ditur se fluturimet do të rifillojnë vetëm nga Terminali 4.

Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Punëve të Jashtme e Kuvajtit dënoi ashpër sulmin, duke e cilësuar atë si pjesë të sulmeve të vazhdueshme iraniane me raketa balistike dhe dronë ndaj objekteve civile dhe strategjike.

“Sulmi i fundit, i kryer në orët e para të mëngjesit, synoi sërish objekte politike dhe jetësore, përfshirë Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit, duke shkaktuar një viktimë, disa të plagosur dhe dëme në infrastrukturë, përfshirë misionet diplomatike”, thuhet në deklaratë.

Kuvajti theksoi se rezervon “të drejtën e plotë dhe të natyrshme” për të ndërmarrë masa të përshtatshme në përgjigje të asaj që e quajti agresion të përsëritur iranian.

Nga ana tjetër, Irani dënoi sulmet e Shteteve të Bashkuara ndaj tankerëve dhe objekteve të tij, duke i cilësuar ato si shkelje të armëpushimit dhe të ligjit ndërkombëtar. Teherani akuzoi Kuvajtin dhe Bahreinin se kanë mbështetur operacionet ushtarake amerikane kundër Iranit.

Ministria e Jashtme iraniane deklaroi se sulmet amerikane janë kryer duke përdorur territorin dhe objektet e Kuvajtit dhe Bahreinit, ndërsa paralajmëroi se Irani do të përdorë të gjitha mjetet e disponueshme për t’iu përgjigjur çdo sulmi të ardhshëm.

Ndërkohë, Kina shprehu shqetësim për përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe u bëri thirrje Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të respektojnë armëpushimin.

Në një konferencë për shtyp, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze u kërkoi të gjitha palëve të shmangin veprimet që mund të rrisin tensionet dhe i bëri thirrje Teheranit dhe Uashingtonit të vazhdojnë negociatat diplomatike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds