Partia Demokratike zhvillon sot punimet e Kuvendit Kombëtar, ku delegatët do të votojnë fillimisht për përbërjen e Komisionit të Drejtimit të Punimeve dhe Sekretariatin Teknik. Para pak çastesh në selinë Blu ka mbërritur Kryetari Sali Berisha.

Gjithçka nisi me një video të një avatari me pamjen e heroit Kombëtar Skënderbeu, i cili “shprehej” ndër të tjera: “Unë jam Skënderbeu. Jo Skënderbeu i Elisës, para se Elisa të inatosej me Skënderbeun e saj, as Skënderbeu i kullës së Edit në mes të Tiranës. Jam Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, heroi kombëtar i shqiptarëve, europeisti i parë i këtyre trojeve. Në fakt, jam një avatar i krijuar nga Departamenti AI i Partisë Demokratike. Ndryshe nga avatari i Ramës, Diella, që ka kushtuar milion euro, unë kam kushtuar vetëm 100 euro”.

Komisioni që do të drejtojë punimet përbëhet nga Ivi Kaso në cilësinë e kryetarit, si dhe anëtarët Floriana Garo, Bardh Spahia, Eliona Shkreli dhe Nada Meçorapaj. Pas miratimit të tyre nga delegatët me votim të hapur, Kuvendi do të nisë zyrtarisht aktivitetin, i cili do të hapet me fjalën e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Një nga pikat kryesore të mbledhjes do të jetë prezantimi i tetë amendamenteve statutore, të cilat do të paraqiten nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazmend Bardhi, për t’iu nënshtruar më pas votimit të delegatëve. Aktualisht ka nisur regjistrimi i delegatëve.

Ndryshimet e propozuara prekin edhe procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkish. Statuti i ri parashikon krijimin e një strukture të posaçme brenda partisë, e cila do të filtrojë kandidaturat përpara se ato t’i nënshtrohen votës së anëtarësisë. Në të njëjtën kohë, dokumenti i ri synon të adresojë problematikat e listave të anëtarësisë përmes dixhitalizimit dhe përditësimit të tyre çdo dy vjet.

Gjatë punimeve të Kuvendit do të zhvillohet edhe votimi për 200 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar. Ky proces do të realizohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve, paralelisht me diskutimet dhe fjalimet e parashikuara në axhendë.

Pas konstituimit të tij, Këshilli Kombëtar do të ketë si detyrë shqyrtimin dhe votimin e propozimeve të Sali Berishës për ekipin e ri drejtues të Partisë Demokratike. Kuvendi Kombëtar mblidhet vetëm një javë pas zgjedhjeve për kryetarin e partisë, në të cilat u rizgjodh Sali Berisha, kandidati i vetëm në garë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds