Teatri “Bylis” në Fier  është kthyer për një mbrëmje në një “klinikë” të mbushur me humor, situata absurde dhe të qeshura pa fund. Komedia “Klinika e Bukurisë”, me regji të Andia Xhunga dhe me një kast aktorësh të njohur si Julian Deda, Rudina Dembacaj, Gent Zenelaj e të tjerë, ka emocionuar për rreth 1 orë e 30 minuta publikun fierak mes skenave komike që shkaktonin të qeshura të vazhdueshme në sallë.

Në qendër të ngjarjes është një kirurg estetik pa skrupuj, sekretarja e tij mashtruese dhe një “doktor riparimesh”, të cilët krijojnë kaos në një klinikë ku bukuria premtohet me ulje dhe pa limite. Ndërsa klientë ekscentrikë kërkojnë transformime absurde, një gazetare investigative futet fshehurazi për të zbuluar të vërtetën që fshihet pas kësaj klinike estetike.

Shfaqja vjen si një farsë moderne plot keqkuptime, skandale dhe situata të çmendura, ku gjithçka del jashtë kontrollit. Përmes humorit, aktorët ironizojnë rastet ekstreme që ndodhin rëndom në klinikat estetike dhe ndikimin që kanë rrjetet sociale në mënyrën si njerëzit perceptojnë bukurinë.

Publiku fierak e ka duartrokitur gjatë komedinë, ndërsa organizatorët bëjnë me dije se “Klinika e Bukurisë” do të vijojë të shfaqet edhe në ditët në vijim në skenën e Teatri Bylis, për të vazhduar më pas me një tur në disa qytete të vendit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds