Kina ka realizuar për herë të parë klonimin e një jaku të egër, në një përpjekje shkencore për të rritur popullatën e kësaj kafshe të rrallë dhe të rëndësishme për ekosistemin malor. Jakët e egër janë një specie unike që gjendet vetëm në rajonet malore të Kinës dhe konsiderohen në rrezik zhdukjeje për shkak të gjuetisë së vazhdueshme ndër vite. Sipas ekologëve dhe gjenetistëve, këto kafshë janë detyruar të jetojnë në lartësi ekstreme për t’i shpëtuar aktivitetit njerëzor.

Tashmë, përmes një procesi inovativ klonimi, ekspertët kanë arritur të krijojnë embrione të jakëve të egër, të cilët më pas kanë lindur natyrshëm. Shkencëtarët besojnë se ky është një hap i madh drejt shpëtimit të kësaj krijese legjendare. Jakët janë të zakonshëm në Rrafshnaltën Tibetiane dhe kanë evoluar për mijëra vite për t’u përshtatur me temperaturat e ulëta dhe mungesën e oksigjenit në lartësi të mëdha. Ata konsiderohen paraardhësit e jakëve shtëpiakë dhe janë të lidhur ngushtë me bizonët modernë. Për banorët e Himalajeve, jakët kanë qenë jetikë për mbijetesën. Leshi i tyre përdorej për veshje kundër të ftohtit, qumështi si ushqim, ndërsa jashtëqitjet shërbenin si lëndë djegëse për zjarr.

Në Tibet jeton edhe një nënlloj i rrallë i jakut të egër me qime të verdha të arta, i cili është edhe më i përshtatur për kushtet e ashpra malore. Regjisori i dokumentarëve Ka Bu, autor i dokumentarit “Golden Wild Yak” të vitit 2016, deklaroi se mbrojtja e jakëve është shumë e rreptë sipas ligjit kinez. Sipas tij, më shumë se 700 barinj dhe fermerë vendas kujdesen për jakët e zbutur në Parkun Kombëtar Changtang dhe patrullojnë zonën për të parandaluar gjuetinë e paligjshme.

Megjithatë, në natyrë mendohet se kanë mbetur vetëm 170 deri në 300 jakë të egër. Studimet gjenomike kanë treguar se popullata aktuale vuan nga kryqëzimi brenda familjes, duke rritur rrezikun për zhdukjen e species. Procesi i klonimit u realizua korrikun e kaluar nga ekspertë të Universiteti Zhejiang në bashkëpunim me Institutin e Biologjisë së Rrafshnaltës Xijiang. Shkencëtarët arritën të klonojnë me sukses 10 jakë njëherësh, një arritje historike për biologjinë moderne. Objektivi i tyre afatgjatë është krijimi i një tufe të re jakësh të egër dhe më pas fokusimi te nënlloji i rrallë me lesh të artë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds