Në konferencën e përbashkët me Kryeprokurorin e SPAK, Klodian Braho, prokurori i Barit bëri publike detaje mbi aksionin e përbashkët mes SPAK dhe Antimafias Italiane.

Sipas tij, 640 mijë euro janë sekuestruar në territorin shqiptar mbi bazën e indicieve hetimore të DIA-s, ndërsa rreth 400 mijë euro të tjera janë bllokuar në Itali, në momentin kur dyshohej se po transportoheshin drejt Shqipërisë për t’u pastruar.

“Në këtë hetim kemi sekuestruar brenda rreth gjashtë muajsh një milion euro cash të destinuara për në Shqipëri.

Kur them të destinuara për në Shqipëri, kam parasysh 640 mijë euro të sekuestruara në Shqipëri mbi bazën e indicieve hetimore të DIA-s, si edhe rreth 400 mijë euro të tjera të sekuestruara këtu në Itali, por gati për të kaluar Adriatikun.

Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se tregtia e lëndëve narkotike gjeneron para, gjeneron shumë para dhe vazhdon të gjenerojë shumë para.

Do të thotë gjithashtu se, nga statistikat që kemi — sepse marrim komunikime nga forcat e tjera të policisë — investimet në Itali po reduktohen, sepse natyrisht goditja e magjistraturës ndaj pasurive të mëdha kriminale është shumë e fortë, sidomos në këtë distrikt, falë Prokurorisë së Barit.

Por kjo do të thotë edhe se forcimi progresiv i kriminalitetit shqiptar në këtë sektor po sjell gjithashtu lëvizje të mëdha të pastrimit të parave drejt jashtë shtetit. Është e qartë që paratë shkojnë aty ku është më e lehtë të depozitohen dhe të pastrohen.

Në Shqipëri, në këtë moment — Vladimir, më thuaj nëse nuk është kështu — përkrah emergjencës së trafikut të madh të narkotikëve që vijnë edhe nga vendet e Amerikës Latine, ekziston edhe alarmi për pastrimin e parave.

Ne synojmë të vazhdojmë në këtë drejtim, të forcojmë bashkëpunimin dhe koordinimin tonë gjyqësor. Dhe në këtë kuadër paraqitemi gjithmonë si bashkëpunëtorë seriozë, në mënyrë që të rindërtohen pasuritë e mëdha të paligjshme”, tha Prokurori.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *