Organizata Botërore e Ushqimit (FAO) fton sot të kremtohet Dita Ndërkombëtare e Çajit.
Origjina e çajit daton më shumë se 5 mijë vjet më parë, por kontributet e tij në shëndet, kulturë dhe zhvillim socio-ekonomik janë ende po aq të rëndësishme sot. Çaji aktualisht kultivohet në zona shumë të lokalizuara dhe mbështet mbi 13 milionë njerëz, duke përfshirë fermerët e vegjël dhe familjet e tyre, të cilët varen nga sektori i çajit për jetesën e tyre.
Dita Ndërkombëtare e Çajit është një mundësi për të festuar për trashëgiminë kulturore, përfitimet shëndetësore dhe rëndësinë ekonomike të çajit, ndërsa punohet për ta bërë prodhimin e tij të qëndrueshëm “nga fusha në filxhan”, duke siguruar që përfitimet e tij për njerëzit, kulturat dhe mjedisin të vazhdojnë ndër breza.
Çaji është një nga pijet më të vjetra në botë dhe pija më e konsumuar në botë, pas ujit. Ai përfaqëson jo vetëm një pije të konsumuar gjerësisht, por edhe një simbol të rëndësishëm të mikpritjes, traditës dhe lidhjes shoqërore. Gjatë dekadave të fundit, industria globale e çajit ka parë rritje të shpejtë, me një numër në rritje të konsumatorëve globalisht.
Gjashtë vende kultivimi çaji janë përcaktuar nga FAO si Sisteme të Trashëgimisë Bujqësore me Rëndësi Globale (GIAHS), nga të cilat katër ndodhen në Kinë, një në Japoni dhe një në Republikën e Koresë./ATSH
