Bashkia Lushnjë vijon investimet për përmirësimin e infrastrukturës në lagjet e qytetit. Këtë herë punimet janë përqendruar në rrugën “Qemal Stafa”, në lagjen “Çlirimi” përballë Gjykatës Administrative, ku po kryhet sistemimi i trotuarit për të lehtësuar lëvizjen e këmbësorëve.

Punimet po kryhen nga Ndërmarrja e Punëve Publike pranë bashkisë. Fillimisht është bërë prishja e shtresës së vjetër të betonit e cila prej vitesh ishte amortizuar dhe kishte krijuar vështirësi për lëvizjen e banorëve. Në vend të saj po shtrohen pllaka të reja duke i dhënë zonës një pamje më të rregullt dhe më funksionale.

Pjesë e këtij investimi është edhe vendosja e ndriçimit përgjatë trotuarit, një ndërhyrje që pritet të rrisë sigurinë dhe të përmirësojë lëvizjen e qytetarëve gjatë orëve të mbrëmjes.

Banorët e lagjes shprehen se kjo ndërhyrje ishte e domosdoshme, pasi trotuari i dëmtuar prej kohësh ishte kthyer në shqetësim për ta, veçanërisht për të moshuarit dhe fëmijët.

Sipas bashkisë, puna për sistemimin e rrugëve dhe trotuareve do të vijojë edhe në zona të tjera të qytetit, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës urbane dhe krijimin e hapësirave më moderne e më të sigurta për komunitetin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds