Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bëri publike një ditë më parë të dhënat, duke njoftuar se ka marrë masë administrative ndaj kompanisë Sori Al pas helmimit të 56 studentëve, por rezultatet e kryera në 9 mostra nuk i janë përcjellë ende Prokurorisë.

Grupi i hetimit që po investigon penalisht ngjarjen, nuk i është vendosur ende asnjë e dhënë.

Jozyrtarisht, prokuroria konfirmon se hetuesit menjëherë pas helmimit të studentëve në Akademinë e Sigurisë, i kanë kërkuar AKU raportet e mëparshme të gjurmueshmërisë së ushqimeve dhe produkteve.

Ajo që synon të kuptojë Prokurori Bledar Valikaj është nëse autoritetet e kanë kontrolluar apo jo ndonjëherë kompaninë e kateringut, nëse i kanë gjykuar ndonjëherë produktet dhe cilat janë masat dhe specialistët kanë konkluduar.

Prokuroria është ende në pritje të përgjigjeve nga mjekësia ligjore ndaj 52 studentëve nga 56 që u trajtuan në spital në datën 6 maj.

Ajo që shërbimi infektiv ka përshkruar mbi gjendjen e studentëve kandidat për oficerë policie është “gastroenterit akut i dyshuar”, por sidoqoftë të dhënat laboratorike të IML duhet t’i vendosen në dispozicion akuzës si akt ekspertize që përcaktojnë se çfarë do të ndodhë më tej me hetimet.

Sakaq gjykata penale e Tiranës ka lënë të lirë nën masën e detyrimit me paraqitje kuzhinierin Kujtim Ballgjini dhe teknologun e ushqimit në Akademinë e Sigurisë që u prangosën fill pas studentëve të helmuar përfunduan në spital.

Ballgjini gjatë seancës me dyer të mbyllura sipas burimeve ka shpërthyer në lot duke i thënë gjykatës: “Unë kam 30 vjet kuzhinier, kam punuar edhe në gardën e Republikës dhe kurrë po kurrë s’më kanë ndodhur incidente të tilla.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds