Gjykata e Tiranës i ka kthyer mbrapsht padinë kandidatës së përjashtuar nga gara për kreun e Partisë Demokratike, Mereme Sela, pasi “mungojnë dokumentat shoqërues”.
Vendimi është marrë në datë 8 Maj 2026 nga gjyqtarja Suela Xhani.
Mjekja Sela paraqiti aplikimin për të kandiduar për postin e kryetarit të partisë më të madhe opozitare, në kuadër të procesit që pritet të zhvillohet në 23 Maj.
Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në Partinë Demokratike, me vendimin e datës 1 maj 2026, vendosi të mos miratojë emrin e Mereme Selas si kandidate zyrtare për drejtimin e subjektit politik.
Mjekja Sela nuk u pajtua me këtë vendim dhe kërkoi nga Gjykata e Tiranës që të shqyrtonte padinë e saj dhe në fund të shpallte të pavlefshëm vendimin për skualifikimin e saj nga gara.
Gjyqtarja e shortuar për shqyrtimin e padisë, Suela Xhani, kreu një vlerësim paraprak të dokumentacionit dhe konstatoi se mungonin një seri aktesh që të bënin të vlefshme kërkesën.
Në vendim, gjykata konstaton të paktën pesë mangësi kryesore:
– Së pari, pala paditëse, pra aplikantja Mereme Sela, nuk ka përcaktuar qartë në kërkesë emrin, atësinë, mbiemrin dhe të dhëna të tjera që shërbejnë për identifikimin e palës paditëse. Gjithashtu, padisë nuk i është bashkëlidhur një mjet identifikimii vlefshëm, nëformën e kërkuar nga ligji;
– Së dyti, gjykata thotë se, rezulton që pala e paditur është person juridik dhe, rrjedhimisht duhet përcaktuar qartë emërtimi i tij, ashtu siç figuron në regjistrat publikë, duke treguar edhe selinë ose zyrën qendrore, ku do kryhet njoftimi;
– Së treti, gjykata konstaton se paditësja nuk ka paguar tarifë gjyqësore;
– Së katërti, konstatohet se në kërkesë-padi nuk janë parashtruar qartë rrethanat e faktit dhe faktet që kërkohen të provohen në këtë gjykim.
– Së fundmi, rezulton se aktet provuese bashkëngjitur padisë, përfshirë vendimin nr. 120 datë 01.05.2026 “Për shqyrtimin dhe miratimin e kandidaturave për kryetar të PDSH-së” I Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, janë fotokopje, jo të njëhsuara me origjinalin ose origjinale dhem rrjedhimisht jo në formën e kërkuar ngaligji.
Pasi konstatoi këto mangësi, gjyqtarja Xhani vendosi se “kërkesë-padia përmban të meta thelbësore dhe duhet t’i kthehet paditëses”.
Vendimi i Gjykatës së Tiranës, megjithatë, nuk i heq të drejtën paditëses Mereme Sela që, të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm dhe të dorëzojë sërish një kërkesë të re para trupës gjykuese.
Vendimi:

