Kryeministri Edi Rama mori pjesë në EU4Municipalities II, programin strategjik për forcimin e pushtetit vendor dhe mbështetjen e rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Teksa foli për projektin e BE, kreu i qeverisë u shpreh se Brukseli është bekim dhe sfidë për Shqipërinë.
Rama iu drejtua kryebashkiakëve, duke u thënë “shiheni këtë si një mundësi për të shfrytëzuar kapitalin njerëzore në funksion të projekteve nga Bashkimi Europian”
“Ky program është një program i cili lidhet me modernizimin e institucioneve tona vendore dhe me mundësinë që përmes tij institucionet të rrisin kapacitetet e tyre njerëzore, që janë edhe problemi ynë më i mprehtë i kësaj kohe dhe i atyre që vijnë në rast se nuk fokusohemi sot tek adresimi i tij. Me këtë dua të them që BE dhe anëtarësimi në familjen europiane janë bekim dhe sfidë e madhe për Shqipërinë, posaçërisht në nivelin vendor, pasi konsolidimi i nivelit të qeverisjes vendore është pjesë e pandarë e mënyrës së funksionimit dhe përmirësimit të marrëdhënieve. Një sfidë e konsiderueshme për vendet anëtare është që të kenë aftësinë të thithin mbështetjen e BE-së përmes dijes se si ta bëjnë këtë. Në këtë pikë, ky program është kyç.
S’janë 11 mln eurot e para thjesht si një shumë, por është i gjithë instrumenti dhe mënyra se si është ndërtuar që do t’i bëjë bashkitë edhe më të angazhuara që të kenë akses në këtë instrument. Kam besim që me mbështetjen e aktorëve të përfshirë dhe me mbështetjen e miqve të GIZ-it, kanë një kontribut të çmuar në ecurinë e pushtetit vendor sepse përfaqësojnë një burim dijeje, përveçse një mbështetje financiare të shtetit gjerman, por edhe me angazhimin e ministrit të Pushtetit Vendor ne mund të bëjmë më të mirën dhe të nxjerrim maksimumin e mundshëm për bashkitë tona”, tha Rama.
Më tej ai shtoi “Në nivelin vendor kemi një komponent shumë i dobët, dixhitalizimi. Kemi një diference të papranueshme, mes peshës që ka dixhitalizimi në shërbimin qendror dhe atij vendor. Kemi folur gjatë me ministrin, do flasim dhe me BE, do flasim dhe me gjermanët megjithëse janë mbrapa nesh me dixhitalizim. Ata punojnë Akoma me fax nëpër ministri. Përtej shakasë që është më shumë se gjysma e të vërtetës në këtë rast. Kryebashkiakëve iu them: shiheni këtë si një mundësi për të shfrytëzuar kapitalin njerëzor në funksion të projekteve nga BE”.
