Ka nisur në Durrës EU4Municipalities II, programi strategjik për forcimin e pushtetit vendor dhe mbështetjen e rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, u shpreh se ky program do të mundësojë bashkëpunimin e të gjithë bashkive në Shqipëri dhe shpjegoi rolin e tyre në këtë program.
“Ky program është shumë i prekshëm. Këtu shndërrohen politikat në përmirësime të vërtetat për jetën e qytetarëve. Në të gjithë BE janë ato që i kthejnë investimet në vepra. Më shumë se 70% e rregulloreve të BE-së do të kthehen në terren në të gjitha bashkitë. Prandaj janë të rëndësishme bashkitë. Për këtë punë na duhet dhe ky partneritet mes qeverisjes vendore dhe qendrore. Rrugëtimi europian i Shqipërisë nuk fillon vetëm në Bruksel ose Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë.
Ne duam që këtë punë ta bazojmë te sukseset e mëparshme. Bashkitë e vogla do të vendosen të parat. Asnjë bashki nuk duhet të mbetet pas. Çdo bashki duhet të ketë qasje në këtë program. Çdo bashki duhet të përfitojë nga mundësitë e BE-së. Ne duam që zgjidhjet t’i përshtatim për format përkatëse. Sfidat që përballeni ju çdo ditë, ndryshojnë nga njëra-tjetra. Ne duam të nxisim bashkëpunimin ndërbashkiak. Në këtë kontekst është shumë e rëndësishme dhe puna e Komisionit Territorial”, tha ndër të tjera Gonzato.
