Kryeministri Edi Rama mori pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes mes Ministrisë së Arsimit dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim për modernizimin e sistemeve të vlerësimit në Agjencinë e re Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, duke iu përgjigjur kështu standardeve ndërkombëtare përmes ekspertizës së Universitetit të Kembrixhit dhe ritmeve që kërkon epoka digjitale në arsim.
Gjatë fjalës së tij, Rama e cilësoi si një hap i rëndësishëm që është hedhur drejt modernizimit të sistemit arsimor në vend, duke i dhënë fund burokracisë për mijëra nxënës, studentë dhe qytetarë.
Rreth 160 mijë shërbime vjetore në fushën e arsimit do të ofrohen tashmë në mënyrë dixhitale, duke eliminuar ndërhyrjen njerëzore dhe duke u bazuar tërësisht te teknologjia dhe faktet.
Kjo reformë, tha Rama, vjen si vazhdimësi e suksesit të dixhitalizimit të procesit të hyrjes në universitet, i cili u cilësua si një proces transparent dhe i paanshëm.
Tashmë, vijoi ai, teknologjisë i jepet një hapësirë e konsiderueshme në menaxhimin e të gjitha shërbimeve që lidhen me arsimin parauniversitar dhe atë të lartë.
Në total, bëhet fjalë për një volum të jashtëzakonshëm shërbimesh që kalojnë online. Vetëm në fushën e arsimit të lartë, shërbime si matrikullimet, regjistrimet e diplomave, njësimet dhe legalizimet arrijnë shifrën e 52,000 në vit. Kësaj shifre i shtohen edhe 18,000 shërbime të tjera që lidhen me provimet e shtetit dhe proceset e liçensimit.
Gjithashtu, provimet e Maturës Shtetërore, olimpiadat kombëtare, provimet e arsimit bazë dhe testimi ndërkombëtar PISA, përbëjnë një tjetër paketë të madhe me 88,000 shërbime vjetore. Të gjitha këto, së bashku, arrijnë një total prej rreth 150,000 deri në 160,000 shërbime në vit, të cilat do të ofrohen përmes platformave dixhitale.
Ky hap nuk konsiston thjesht në pajisjen e Qendrës së Shërbimeve Arsimore me teknologji, por në vendosjen në dispozicion të të gjithë përfituesve një standard ekselence, i krahasuar me atë të Universitetit të Kembrixhit. Synimi është që çdo individ që merr një shërbim arsimor të përfitojë nga një proces i shpejtë, i saktë dhe tërësisht transparent.
