Me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Atdheut në Lushnjë u zhvilluan homazhe në Varrezat e Dëshmorëve, ku përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë nderuan të rënët për lirinë e vendit. Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë Kryetarja e Bashkisë Eriselda Sefa, Drejtuesja Politike e qarkut Fier Belinda Balluku, Ministri i Financave Petrit Malaj, deputetët Elton Korreshi, Kiduina Zaka dhe Asfloral Haxhiu, përfaqësues të Policisë së Shtetit, veteranë, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë të shumtë. Përfaqësuesit e opozitës nuk ishin të pranishëm.
Gjatë ceremonisë u vendosën kurora me lule pranë obeliskut dhe më pas u zhvillua parakalimi përpara varreve të dëshmorëve.
Vasilika Gjergji Kryetare e Organizatës së Dëshmorëve tha se dëshmorët dhanë jetën e tyre për lirinë që ne gëzojmë sot.
Në fjalën e saj Belinda Balluku theksoi se 28 mijë dëshmorët e Atdheut mbeten një udhërrëfyes i përhershëm për brezat duke nënvizuar rëndësinë e unitetit dhe përkushtimit për zhvillimin e vendit.
5 Maji përkujton sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë, ndërsa ceremoni të tilla shërbejnë si një moment reflektimi dhe mirënjohjeje ndaj historisë dhe kontributit të tyre.
