Kryeministri Edi Rama dhe Ministri  i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja morën pjesë në inaugurimin e Muzeut Arkeologjik në Durrës.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se ringritja e muzeut pas tërmetit shkatërrues të vitit 2019 e tregon si mundësi e re për të ndërtuar më mirë dhe për të ndërtuar objekte më rezistente.

“Duke ardhur nga përballja me Diellin pas fjalimeve jo dhe aq të shkurtra, besoj se më takon të flas shkurt, sepse nuk ka shumë për të shtuar mbi ato që u thanë më të drejtë. Mbi ato që u thanë për ringritjen e madhe të shumë objekteve të trashëgimisë kulturore pas goditjes nga tërmeti shkatërrues i disa viteve më parë.

Një ringritje që u bë e mundur falë solidaritetit me BE-në, i cili na vuri në dispozicion programin EU for Culture dhe ne bëmë gjithçka na takonte që me projektet e duhura të vazhdonim të çonim përpara disa objekte që janë në proces. Një punë transformuese e cila flet vetë, siç flet në pamjen e tij të jashtme ky muze, që së brendshmi është rikrijuar duke pasuruar linjën muzeale dhe duke e sjellë krejt muzeun në një nivel të ri.

Ky ka qenë edhe qëllimi, qoftë për familjet që u dëmtuan nga tërmeti dhe që ngelën të pastrehë brenda pak sekondash. Atë fatkeqësi dhe pasojat e saj t’i transformojmë në një mundësi të re për të ndërtuar më mirë, më bukur dhe për të ndërtuar objekte shumë rezistente. Kudo ku tërmeti ka goditur, çfarë është ndërtuar mbrapa flet vetë.

Dua të shtoj edhe një aspekt tjetër, rëndësinë që ka programi EU for Culture dhe kultura për Shqipërinë, një vend që jo thjesht se është turistik, por edhe sepse është pranë anëtarësimit në BE, i ka të gjitha arsyet për të nxjerrë në pah historinë e vet. Historia e një vendi të vogël, thellësisht europian dhe me shumë dëshmi të prekshme në të gjithë territorin e vet”, tha Rama.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds