Një tjetër call center është zbuluar në Tiranë.
Policia e kryeqytetit bën me dije se një apartament në rrugën “Sulejman Delvina” ishte përshtatur si call center për mashtrime financiare për shtetasit e huaj, që mendonin se po investonin në bursa që në të vërtetë ishin fiktive.
Për pasojë janë arrestuar dy administratorët e call center-it, Argest Rushi dhe Leonard Maksutaj, ndërsa u proceduan në gjendje të lirë 12 operatorë që ndodheshin në ambient.
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, pas informacioneve të siguruara së fundmi, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Fasada”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në apartamentin në rrugën “Sulejman Delvina”, i cili ishte përshtatur si call center, ku kanë kapur në flagrancë shtetasit A. R. dhe L. M., si dhe 12 operatorë, të cilët mashtronin shtetas të huaj për të investuar në bursa fiktive.
Nga hetimet rezultoi se apartamenti ishte marrë me qira nga shtetasi A. R., i cili, në bashkëpunim me shtetasin L. M., e administronte këtë ambient me qëllim zhvillimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u vunë në pranga shtetasit A. R., 44 vjeç, dhe L. M., 26 vjeç, administratorë të ambientit.
Si dhe u proceduan penalisht 12 shtetas, operatorë, të cilët u kapën në flagrancë në apartament, gjatë ndërhyrjes nga Policia.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie të paligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit mbetet e vendosur për të goditur çdo formë të kriminalitetit, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, si dhe për të mbrojtur qytetarët, brenda dhe jashtë vendit”, njofton policia.
