Janë zbardhur detaje nga konflikti i nisur për një lojë me letra e cila përfundoi me plagosjen e 17-vjeçarit në fshatin Bulgarec të Korçës. Sipas dëshmive, sherri ka nisur fillimisht pasi i riu i plagosur kishte fituar një lojë dhe si “shpërblim” kundërshtari duhej t’i paguante një pije, gjë që ky i fundit nuk e ka pranuar.
Tensionet kanë vijuar edhe ditën pasuese, kur dy të rinjtë janë përfshirë sërish në konflikt. Mësohet se ata janë goditur me grushte, por situata ka dalë jashtë kontrollit duke degraduar në përdorimin e një mjeti prerës, ku për pasojë mbeti i plagosur 17-vjeçari.
Gjyshi i tij, Shaban Mersinaj, ka deklaruar se të rinjtë janë konfliktuar brenda në lokal dhe se gjithçka ka ndodhur pas një përplasjeje fizike mes tyre. Ai shton se nipi i tij nuk është person problematik dhe se familjet kanë pasur marrëdhënie të afërta.
“Ata loznin aty, ai (i plagosuri) e goditi me stekë nipin. Nipi ka rënë në tokë. Sipas asaj që na kanë thënë nipi është ngritur dhe i plagosuri e ka qëlluar prapë, e ka bërë gjak pastaj ka vepruar nipi. Ngjarja ka ndodhur brenda në lokal. Ne jemi tanët, jemi kushërinj, janë zënë për kot. Nipi im nuk është i sherrit, është djalë i qetë, punëtor. Ne kemi folur me të atin, ai nuk shtron, jemi takuar në spital, nuk pranon. Ne nuk kemi asnjë konflikt me ta. Gjendja e të plagosurit është mirë, nën sqetull ka një gërvishtje. Nipin erdhi e mori policia, ai pas ngjarjes erdhi në shtëpi, na tha që më goditi. Janë gjëra të momentit jo konflikte të mëparshme, janë zënë për një shok pse i ke thënë këtë, pse i ke thënë atë. Kemi patur hyrje dalje në familje.”, tha një familjar.
“Na thanë që kështu kështu e ka çarë një djalë këtu nga fshati. Me thikë në kraharor, e ka goditur me thikë. Luanin me letra jo fitova unë jo fitove ti. Ishin zënë me grushte dhe e kishte goditur me thikë. Jemi të afërt me familjen tjetër, kishim hyrje dalje edhe fëmija s’kanë pasur gjë. Sherri ka qenë për lojën siç na llafosi djali. Të shoh djalin si është, atje më rri mendja. Është në shkollë në gjimnaz. Nuk kemi pasur konflikt me asnjë në fshat se si na i bëri ai djalë kështu, na plagosi djalin.”, theksoi ai.
