Ishte denoncimi i një punonjëseje të një lokali ai që zbuloi sistemin e mbajtjes së festave me eskorta luksi në Milano ku në qendër të tyre janë futbollistët e Serie A dhe jo vetëm.
Prokuroria e Milanos ka hapur një hetim për favorizim dhe shfrytëzim prostitucioni në lokalet e jetës së natës milaneze dhe në përgjimet e siguruara nga hetuesit të përfshira në aktet e tyre dëgjohej edhe fraza: ‘Është një miku im pilot i Formula 1 që vjen këtu në Milano sonte, do një tipe me pagesë’
Nën hetim është një rrjet i administruar nga një çift bashkëshortësh dhe dy bashkëpunëtorë, që të katërt janë aktualisht në arrest shtëpie. Protagonistët vepronin përmes një kompanie në Cinisello Balsamo pranë Milanos; sipas ‘La Repubblica’, në rrjetet sociale kjo kompani postonte foto tërheqëse dhe njoftime kërkimi për bashkëpunëtorë të rinj, dmth vajza dhe djem me aftësi të spikatura në marrëdhëniet me publikun.
Sipas prokurorëve, e gjithë kjo ishte një fasadë për të mbuluar shërbimet e shtrenjta ndaj klientëve pas ndeshjes me vajza të reja të rekrutuara me këtë rast. Pra në lokalet milaneze viheshin në dispozicion eskorta me shërbime të tjera pas feste në hotele me 5 yje. Në paketën e shërbimit ishte edhe thithja e oksidit të azotit që ishte brenda tullumbaceve dhe që nuk zbulohet në testet antidoping.
Guardia Di Finanza kishte sekuestruar më parë rreth 1.2 milionë euro nga shërbimet e ofruara për bizneset dhe sipërmarrësit. Sipas të përditshmes ‘Corriere Della Sera’ të përfshira në këtë aktivitet ishin 10 vajza të moshës 18-30 vjeç të cilave iu shkonte 50% e këtyre të ardhurave
