Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për çështjen e pagave të gjyqtarëve, pas padisë së këtyre të fundit, duke vendosur që të pranojë pjesërisht kërkesën e gjyqtarëve.

Vendimi është marrë 7-1,  ku i vetmi që ka kërkuar rrëzimin e kërkesës së gjyqtarëve ka qenë Gent Ibrahimi.

“Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin për kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve, që kundërshtonte ndryshimet ligjore për pagat e magjistratëve.

Pasi shqyrtoi pretendimet e palëve dhe rrethanat e çështjes, Gjykata Kushtetuese vendosi:

1- Pranimin pjesërisht të kërkesës.

2- Shfuqizimin e fjalisë së parë të shkronjës “a” të nenit 1, si dhe të pikës 2 të nenit 2 të ligjit nr. 33/2023, datë 25.05.2023 “Për një ndryshim në ligjin nr. 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

3- Detyrimin e Kuvendit për të miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore, sipas arsyetimit të këtij vendimi, brenda datës 31.07.2026.

4- Efektet e shfuqizimit hyjnë në fuqi në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore dhe, në çdo rast, jo më vonë se data 31.07.2026″, thuhet në njoftimin zyrtar.

Gjykata thekson se ligjvënësi ka diskrecion për referencën e pagave megjithatë në ushtrimin e kësaj kompetence duhet të mbajë parasysh përcaktimet e nenit 138 të Kushtetutës. Gjykata vlerëson se parimet me të cilat duhet të udhëhiqet ligjvënësi, është të ndalojnë uljen edhe pse të fshehur të pagave.

Gjykata Kushtetuese shprehet në vendimin e ndaj se mbrojtja e Kushtetutës nuk lejon rënie të pagës së drejtpërdrejtë apo të fshehur. Kushtetuesja thotë se formula e kundërshtuar në raport me rritjen ekonomike ka pasjellë ulje të fshehur të pagave, raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha.

Në këto kushte Kuvendi duhet të sjellë ndryshime për të përshtatur pagat e gjyqtarëve. Gjykata vlerëson se efektet financiare të ligjit të ri duhet të llogaritet nga 2023.

Gjyqtarët kanë kërkuar shfuqizimin e ndryshimeve ligjore që u bënë për pagën e tyre në vitin 2023 nga qeveria, e cila zbatoi kështu vendimin e një viti më herët të Kushtetutës dhe përcaktoi se rroga e gjyqtarëve do të ishte sa 36% e pagës së Presidentit.

Vendimmarrje e ligjvënësit e cila nuk i ka pëlqyer gjyqtarëve. Sipas tyre kjo llogaritje i ka ulur përfitimet dhe kjo është anti kushtetuese, dhe për këtë kërkojnë një llogaritje tjetër me bazë të Drejtorit të Departamentit të Kryeministrisë. Për herë të dytë pa kaluar 3 vite gjyqtarët duan një rritje rroge, por që u kundërshtua nga Kryeministri Edi Rama.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds