Ditën e sotme po vijon në ditën e tretë Samiti i IV i Diasporës, aktivitetet që nisi me “Mëngjesin e Vëllazërimit”, ku përfaqësues të komuniteteve fetare shqiptare do të japin mesazhe bashkimi dhe harmonie, mes tyre Imam Rifat Alili, Dom Pjetër Popaj, Nikodhim Preston dhe të tjerë.
I pranishëm në Samitin e IV të Diasporës është edhe kryeministri Edi Rama.
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Edmond Ibrahimaj ose siç njohim, Baba Mondi, gjatë lutjes së tij në aktivitet u shpreh se të dalin nga ajo sallë më të bashkuar, më të fortë në shpirt
“Na jep urtësi që përmes besimit dhe respektit të ndërtojmë një botë më të drejtë e njerëzore. Në këtë mëngjes bekimesh, të dalim nga këtu më të bashkuar, më të fortë në shpirt dhe më të përkushtuar ndaj së mirës së përbashkët”.
Ndërkohë, përfaqësuesi i Bashkësisë Katolike në Bruksel, Don Kastriot Idrizi, shprehu lutjet e tij për të gjithë shqiptarët që ndodhen në diasporë.
“Të lutemi për shqiptarin kudo në botë, për diasporën tonë të çmuar, për ata që kanë lënë atdheun në kërkim të një jete më të mirë, për të rinjtë, për prindërit që mbajnë gjallë lidhjet me rrënjët, për të moshuarit… Zot bëj që kudo që janë të mos humbasin shpresën. Të ruajnë dashurinë për njëri-tjetrin dhe të ndihen të mbrojtur e në paqe. Zoti të udhëheqë mendjet e atyre që mbajnë përgjegjësi publike që vendimet e tyre të jenë në dobi të paqes”.
“Mëngjesi i Vëllazërimit” u zhvillua në kuadër të sesionit me temë “Trashëgimia e së Shenjtës”, i cili në kontekstin shqiptar i referohet pasurisë së jashtëzakonshme shpirtërore dhe materiale të lidhur me besimin, martirizimin dhe objektet e kultit që kanë formësuar identitetin tonë kombëtar.
