Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me fermerët në Krutje, ku në fokus ishte rritja e investimeve në bujqësi, lehtësitë e reja fiskale dhe risitë e skemës së re kombëtare për mbështetjen e këtij sektori. Gjatë bashkëbisedimit, Rama theksoi se fermerët duhet të arrijnë një standard të përgjithshëm prodhimi për t’iu përshtatur kërkesave të tregut të madh të Bashkimit Europian.
Në këtë kuadër, ai prezantoi edhe Programin e ri Kombëtar “Dyfisho Ndërmarrjen Tënde”, i cili synon të mundësojë financime domethënëse për të gjithë ata që duan të zgjerojnë aktivitetin e tyre përmes planeve konkrete dhe bindëse në çdo sektor prodhimi.
Pas takimit në Krutje, Kryeministri u ndal në qytetin e Lushnjës, ku zhvilloi një takim me strukturat e Partisë Socialiste në palestrën e shkollës “Skënder Libohova”. Në këtë aktivitet ai shoqërohej nga Drejtuesja Politike e qarkut Fier Belinda Balluku si dhe Ministri i Financave Petrit Malaj.
