Pas vendimit të gjykatës për zbutjen e dënimit për autorin e vrasjes së oficerit të policisë në Fier, Novruz Cenalia, Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari ka bërë një reagim duke e cilësuar këtë vendim si një akt me pasoja të rrezikshme, që cenon jo vetëm emrin dhe sakrificat e punonjësve të policisë, si dhe kërcënon rendin ligjor dhe vetë shtetin.

Ministri nënvizon se megjithëse nuk është njohur me arsyetimin e plotë të trupës gjyqësore, masa e dhënë, e cila është tejet e butë në raport me krimin e kryer, “është thellësisht shqetësuese”.

Novruz Cenalia u vra nga Azgan Mernica në 13 maj të vitit 2024, në fshatin Baltëz të Fierit, pas një sherri për motive të dobëta. Së fundmi gjykata ka zbutur dënimin për autorin, nga burgim i përjetshëm në 35 vite heqje lirie.

Vendimi për zbutjen e dënimit ndaj autorit të vrasjes së një punonjësi të Policisë së Shtetit është thellësisht shqetësues. Edhe pse nuk jemi njohur ende me arsyetimin e plotë, vrasja e efektivit të ‘Shqiponjave’ Novruz Cenalia ishte një sulm i hapur ndaj vetë shtetit dhe rendit ligjor. Një akt i tillë nuk lëndon vetëm familjen e të ndjerit dhe dekurajon kolegët në uniformë, por rrezikon të japë një mesazh të gabuar për këdo që guxon t’i kundërvihet ligjit dhe shtetit të së drejtës. Respektojmë pavarësinë e gjyqësorit, por presim që drejtësia të jetë e fortë dhe në lartësinë e përgjegjësisë që ka ndaj qytetarëve dhe ndaj atyre që mbrojnë rendin çdo ditë”, u shpreh ministri.

Vendimi i Apelit

Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm dënoi me 35 vite burg Azgan Mërnicën, i cili vrau me armë zjarri, efektivin e forcave “Shqiponja”, 28-vjeçarin, Novruz Cenalia.

Më herët Gjykata e Fierit e kishte dënuar Mërnicën me burgim te përjetshëm.

Prokuroria e akuzoi Mërnicën për veprat penale “vrasje e punonjësit të Policisë së Shtetit”, “armëmbajtje pa leje” dhe “drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”. Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj të vitit 2024, në fshatin Baltëz të Fierit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds