Sot më 7 prill 1939 lindi në Lushnjë Vaçe Zela, këngëtarja me zërin brilant që mbetet e paharruar në kohë. Me një karrierë që zgjati rreth 40 vite në skenë, ajo u bë simbol i muzikës shqiptare dhe krenaria e qytetit tonë. Vaçja fitoi 12 herë festivalin dhe iu dha titulli ‘Artist i Merituar’ në vitin 1973 dhe ‘Artist i Popullit’ në vitin 1977.
Sot në Lushnjë nuk u organizua asnjë aktivitet zyrtar për të nderuar dhe kujtuar artisten e madhe lushnjare, por vetëm një aktivitet simbolik tek biblioteka e qytetit.
Vaçe Zela e nisi rrugëtimin artistik në moshë të re dhe arriti sukses të menjëhershëm duke fituar Festivalin e Këngës me këngën “Fëmija i parë” më 26 dhjetor të vitit 1962, kur ishte 23 vjeçe. Gjatë karrierës së saj, ajo interpretoi me mjeshtëri këngë popullore, të lehta, kantata dhe balada, duke u shndërruar në numrin një të skenës shqiptare për dekada me radhë.
Përveç skenës muzikore, Vaçe Zela dha kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku zëri i saj i veçantë shoqëroi shumë prodhime kinematografike shqiptare, duke lënë një gjurmë të thellë në kulturën artistike të vendit.
Vaçe Zela është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002.
