Kryeministri Edi Rama në një komunikim të zhvilluar këtë të martë, foli për procesin e negociatave.
Gjatë fjalës së tij Rama i është përgjigjur edhe akuzave dhe kritikave të opozitës se procesi i integrimit po pengohet për shkak të korrupsionit dhe skandaleve të qeverisë, si AKSHI, apo skandali Balluku…
Gjithashtu ai u shpreh se të thuash se sot Shqipëria ka korrupsion më shumë është njësoj si të flasës përçart, pasi sipas kryeministrit, korrupsionit i është hapur luftë politikisht.
“Perceptimi për administratën publike ka qenë goxha i rënduar nga gjykimet dhe patjetër kanë marrë shkas nga sjelljeve, veprime akte që ndonjëherë janë ekspozuar edhe publikisht. Por duhet thënë se ka përballuar një test, një provim të jashtëzakonshëm, në të gjithë procesin e derikëtushëm të negociatave… Por procesi i negociatave ecën përpara me sukses dhe kjo është edhe falë kësaj administrate. Falë kësaj administrate, pavarësisht problematikeve që nuk mungojnë vendin rritet dhe zhvillohet çdo ditë. Ne sot jemi në kushtet kur kemi hapur të gjithë kapitujt. Përballë kemi shtete anëtare për piketat e ndërmjetme që janë një moment kyç për negociatat dhe Komisioni Europian ka dhënë vlerësim pozitiv. Lart e poshtë flitet se negociatat janë bllokuar, por nuk e kanë idenë çfarë flasin,. Negociatat nuk janë një shëtitje në lëndinë, por janë një provim i vazhdueshëm . Dhe ky tani është një provim kyç, por nuk ka asnjë motiv , zero, për të folur për bllokim. Jemi totalisht sipas agjendës së caktuar”, tha ndër të tjera ai.
