Një aksident rrugor me pasojë fatale është regjistruar rreth orës 3 të mëngjesit të sotëm, në autostradën “Fier Vlorë”, në vendin e quajtur Novoselë.
Sipas të dhënave paraprake, mjeti me targa AB009GN është përplasur me barrierat mbrojtëse anësore të rrugës.
Rreth 30 metra larg pikës së përplasjes është gjetur pa shenja jete shtetasi Albi Hoxha, i datëlindjes 07.08.2002.
Autoritetet ndodhen në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Gjithashtu, po punohet për të verifikuar nëse në automjet ndodheshin edhe persona të tjerë në momentin e ngjarjes.
“Sot, rreth orës 03:00, në vendin e quajtur mbikalimi i Novoselës, në aksin rrugor në drejtim të fshatit Akërni, automjeti me drejtues shtetasin A. H., 24 vjeç, banues në Fier, është përfshirë në një aksident rrugor. Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i mjetit A. H ka humbur jetën”, njofton policia.
Grupi hetimor po kryen veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.
