Deputeti i PD-së, Klevis Balliu, kërkoi në këtë seancë plenare një interpelancë me Ministrin e Brendshme, Besfort Lamallari.

Ministri u shpreh në fjalën e tij se Shqipëria mbetet një vend i sigurt për qytetarët shqiptarë, duke shtuar:

“Dua të sjell në vëmendje dhe të ndaj disa informacione me qytetarët. Fakti i parë, jo më larg se mbrëmjen e djeshme, u kam kërkuar strukturave të Policisë, konkretisht strukturave të Antiterrorit, të Departamentit të Sigurisë Publike dhe Policisë Kriminale, të jenë në komunikim me zyrën e Sigurisë së Ambasadës Amerikane, nga të cilat me përgjegjësi të plotë konfirmoj se është komunikuar, e nuk ka asnjë informacion konkret, qoftë edhe inteligjencë, për një situatë rreziku real. 

Së dyti, kjo është në vazhdën e të gjitha postimeve, deklaratave që bëhen standard në të gjitha vendet e botës ku ka shqetësime të ndryshme. Shqipëria dhe Policia e Shtetit prej disa kohësh kanë marrë masa të shtuara sigurie, jo lidhur me postimin e djeshëm, por prej disa kohësh, dhe kjo bazuar në zhvillimet ndërkombëtare që ndodhin. Konkretisht me konfliktin e armatosur dhe luftën në Lindjen e Mesme, ku sigurisht janë të angazhuara maksimalisht Policia e Shtetit, strukturat e Antiterrorit, Policisë Kriminale, FNSH-së dhe sigurisë publike, duke qenë në komunikim të vazhdueshëm me të paktën dy ambasada në vend.

Pra, ky është një fakt që nuk ka lidhje me postimin e djeshëm, ka nisur kohë më parë dhe ka një vlerësim nga Policia e Shtetit lidhur me rreziqet e mundshme të terrorizmit apo elementëve të tjerë kriminalë. Ka edhe një plan veprimi, i cili bën bashkë me detyra specifike çdo strukturë përgjegjëse në Policinë e Shtetit.

Fakt është që Shqipëria mbetet një vend i sigurt për qytetarët shqiptarë dhe për të gjithë ata që vizitojnë Shqipërinë. Përtej postimeve që ju i lexoni, për fat të keq, vetëm kur vijnë nga Irani apo që lidhen me Iranin, por jo për protestat e dhunshme me molotov”, tha Lamallari.

Përgjigja e deputetit të PD-së, nuk mungoi, i cili iu kthye duke thënë:

“Pavarësisht pyetjeve të shumta që kam depozituar, nuk iu përgjigj asnjërës. Unë s’e kuptoj si mund të vish e të mashtrosh publikisht, që nuk ka raport ndërkombëtar që nuk tregon rritjen eksponenciale, që tregun tregon rritjen e pastrimit të parave të drogës në Shqipëri. Kjo ndodh vetëm për një arsye, sepse këtu ata kanë mbështetje politike, institucionale, qeveritare dhe të gjithë shefave që ju keni vendosur në krye të policisë.

Për atë siguri që flisni ju, disa qytetarë civilë kanë humbur jetën. Ju kujtoj ngjarjen e Don Boskos, ngjarjen e Dobraçit, ngjarjen e Memeliajt, që qytetarë që pinë kafenë, shkojnë e vriten për përplasjet e bandave”, u shpreh Balliu.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds