Berisha ka komentuar përjashtimet nga grupi i këshilltarëve demokratë të bashkisë së Durrësit Dritan Burgija dhe Arlind Boshku.

Në reagimet e tyre në rrjetet sociale, ata deklaruan se përjashtimet kanë ardhur pas një drekë që ata kanë pasur me Ervin Salianjin.

Berisha u shpreh se ata nuk janë përjashtuar për mendimet e tyre, por për shkak të veprimeve dhe se sipas tij i shërbejnë PS.

“Së pari, më duhet të them se këtu, para jush, në mënyrë të përsëritur, por edhe para anëtarësisë së partisë në Durrës, këta dy zotërinj janë denoncuar nga Sali Berisha për qëndrimet e tyre antistatutore gjatë fushatës elektorale dhe qëndrimet si këshilltarë të PD-së në këshillin bashkiak të Durrësit. Njëri kryetar, tjetri këshilltar.

Pra, ata që pretendojnë se janë ndëshkuar për fjalët, për mendimet, ata mashtrojnë veten dhe mashtrojnë të tjerët. Në mënyrë absolute, jo. Por ata të cilët ngatërrojnë fjalët dhe mendimet, të cilat në këtë parti kanë qenë dhe do mbeten gjithmonë të lira, me qëndrimet, ata bëjnë një gabim që duhet ta rishqyrtojnë.

Nuk ka asnjë lidhje se nuk mund të më citojë kush një deklaratë të tyre. Më thoni ju mua një deklaratë që ata kanë bërë. Jo. Asnjë deklaratë nuk kanë bërë ata. Nuk kam unë një deklaratë. Çdo njeri është i lirë të bëjë çdo deklaratë që do, liria e mendimit është e garantuar. Por qëndrimet janë qëndrime.

Në qoftë se ti, në fushatë elektorale në betejë, besimin që ta dhanë, sekretar politik dege, e përdor si Dash Sula, atëherë ti e përjashton veten nga partia dhe organet.

Në qoftë se punon për kandidatët e PS, dhe jo për kandidatët e PD duke mbajtur postin që ke, ti ke mbajtur një qëndrim që ke nxjerrë veten vetë jashtë partie.

Së dyti, në qoftë se ti je në këshill dhe shkon njëherë në 6 muaj sa për të marrë ato lekë, nuk shkon në mbledhje të këshillit për të mbrojtur interesat e qytetarëve, ti tradhton dhe shkelmon ata që të kanë votuar. Apo nuk është kështu?

Në qoftë se ti je në këshill dhe përdor pushtetin si këshilltar për të asfaltuar apo për të përfituar favore personale, nuk është ky pse të kanë votuar qytetarët e Durrësit.

Jo, qytetarët e Durrësit të kanë votuar për të mbrojtur interesat e tyre, jo për të zgjidhur çështjet e tua personale.
Ndaj dhe këta, asnjë prej tyre, këta të dy, nuk kanë asnjë lidhje me fjalë dhe mendime, por kanë lidhje me veprime, veprime dhe vetëm veprime.

Dhe në mënyrë absolute, çdo bashkëpunim me PS-në dhe qeverinë do të ndahet përfundimisht. Ato kohëra kanë marrë fund për PD-në njëherë e mirë. Kështu që, nuk ka asnjë lidhje me ato që thoni ju, le ta lidhin kush të dojë.
Ka një statut që është zbatuar plotësisht për të gjitha. Është procedurë e degës, i ka kërkuar qendrës dhe qendra ka mbajtur qëndrimin e saj për qëndrimet e tyre, jo fjalët e tyre.

Nuk mund të dënohet kush për mendimin dhe fjalën. Në qoftë se bën fushatë për PS, në qoftë se përdor pushtetin për qëllime personale, jo, nuk shkon ajo. E kam thënë këtu tek ju, është nënkryetare e bashkisë në Tropojë, ajo ka ndërtuar një urë në një përrua pranë shtëpisë së vet. Ajo është në gjykatë sot, e ka dërguar PD atë për gjykim.

Ka përdorur pushtetin për interesa personale. Nuk mund të kemi dy standarde ne. Jo.
Kjo është shumë e thjeshtë. Megjithatë, kjo parti ka institucionet e veta, është e hapur. Ata kanë të drejtë të ankohen. Por nuk ndëshkohet kush për fjalën dhe mendimin. Jo, nuk ka asnjë gjë të tillë. Nuk mund të ketë”, tha Berisha.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds