Mallakastra, djepi i bektashizmit shqiptar, mirëpriti sot qindra besimtarë në Teqenë e Baba Selmanit në Kapaj, në një ndër ditët më të rëndësishme të kalendarit të fesë bektashiane.
Që në orët e para të kësaj të diele pelegrinë nga mbarë vendi dhe emigrantë të kthyer enkas , iu drejtuan vendit të shenjtë për të marrë pjesë në ritet tradicionale dhe për të kërkuar bekim. Atmosfera ishte e mbushur me përkushtim teksa besimtarët u lutën për shëndet, paqe e mbarësi, ndezën qirinj dhe qëndruan në heshtje në momente reflektimi.
Më pas u zhvillua rituali i kurbanit, traditë që simbolizon sakrificën, mirënjohjen dhe solidaritetin. Për shumë prej tyre, kjo vizitë e përvitshme lidhet me besimin se vendet e shenjta sjellin fat dhe plotësim dëshirash.
Përtej riteve fetare, dita shërbeu si moment bashkimi mes familjarëve e miqve, në një atmosferë harmonie. Kjo festë simbolizon rigjallërimin, ardhjen e pranverës dhe ringjalljen shpirtërore, duke përcjellë mesazhe shprese e paqeje për të ardhmen.
