Me kalimin e orëve është rënduar bilanci i viktimave në Podujevë, pasi u qëlluan me armë zjarri.
Ka ndërruar jetë një nga të plagosurat e natës së kaluar në Kosovë, ku u vra një person dhe u plagosën dy në fshatin Majac të Podujevës.
Siç bën me dije edhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, viktima ishte e moshës 73-vjeçare dhe ka ndërruar jetë pas orës tre të mesnatës.
E plagosura tjetër, që njëherësh është edhe e dyshuar për vrasjen po vazhdon të trajtohet në mjekimin intensiv dhe sipas mjekëve është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Dyshohet se 30-vjeçarja ka vrarë rreth orës 18:00 një person rreth 45-vjeçar.
Sipas Policisë së Kosovës trupi i viktimës është gjetur në një veturë pranë shtëpisë së të dyshuarës. Vdekja e tij është konstatuar në vendin e ngjarjes.
“Bazuar në informacionet dhe hetimet fillestare, në vendin e ngjarjes është hasur vetura (VË) ngjyrë e bardhë me targa lokale (01), e cila është verifikuar dhe ka dalur në pronësi të një personi mashkull kosovar nga Obiliqi. Nga ekipi mjekësor është konstatuar se personi mashkull kosovar i hasur në automjet është pa shenja jete”, njoftoi policia.
Bëhet e ditur se pas vrasjes së 45-vjeçarit, e dyshuara është mbyllur brenda shtëpisë, me armë zjarri duke refuzuar të komunikojnë me persona të tjera. Në këtë pikë të dielën është aktivizuar njësia speciale e Kosovës të cilët kishin gjetur 73-vjeçaren të plagosur rëndë, bashkë edhe me të dyshuarën që ishte e plagosur.
Rasti është cilësuar si “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi të armëve” nga ana e prokurorit të shtetit.
Deri më tani, motivet që kanë çuar deri të vrasja e dyfishtë nuk janë të qarta.
“Në orët e vona të mbrëmjes, në Qendrën Emergjente janë pranuar dy paciente të gjinisë femërore, njëra e lindur në vitin 1953 dhe tjetra e lindur në vitin 1995 , të sjella me autoambulancë nga Podujeva, si pasojë e lëndimeve të marra nga arma e zjarrit.
Menjëherë pas pranimit, janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme emergjente. Të dy pacientet janë pranuar në gjendje shumë të rëndë dhe jo stabile, dhe janë intubuar me frymëmarrje të asistuar.
Njëra nga pacientet është dërguar në sallën operative, ku ekipet e Neurokirurgjisë dhe Anestezionit janë duke vazhduar trajtimin intensiv.
Pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor, pacientja e lindur në vitin 1953 ka ndërruar jetë në orën 03:00 pas mesnate.
Gjendja e pacientes tjetër mbetet shumë e rëndë dhe po vazhdon trajtimi intensiv nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor”, raporton spitali.
