Dhjetra fermerë të serave të bashkive Dimal dhe Rroskovec janë mbledhur mesditën e sotme në qendër të fshatit Samaticë, ku kanë protestuar kundër pikave të grumbullimit, të cilat sipas tyre po ua marrin prodhimin me çmime nën kosto, kryesisht trangullin që aktualisht tregtohet me 60 lekë për kilogramë thonë ata.
Të revoltuar nga situata, fermerët pohojnë se vijnë nga një sezon i vështirë përmbytjesh ku nuk kanë përfituar asnjë dëmshpërblim ndërsa përballë situatës aktuale të çmimeve të ulëta kërkojnë njëzëri ndërhyrjen e menjëhershme të shtetit për të rregulluar tregun dhe për të garantuar çmime të drejta për produktet e tyre. Ata theksojnë se nëse nuk do të ketë reagim konkret nga institucionet, do të detyrohen të marrin masa ekstreme.
Sipas tyre, në protestë janë bashkuar fermerë të katër fshatrave të bashkisë Dimal dhe tre fshatrave të bashkisë Rroskovec, të cilët mbështeten kryesisht tek bujqësia si burimi i vetëm i të ardhurave. Janë 500 ha të kultivuara me prodhime të stinës të cilat shkojnë kryesisht për eksport që mbajnë gjallë ekonominë e fermerëve protestues té ketyre zonave.
