Zbulohen detaje të reja nga hetimet lidhur me shpërthimin e tritolit në makinën e efektivit të policisë në Lezhë.
Autorët që dyshohet se kanë qenë dy persona me motor, kanë shkuar pranë automjetit të parkuar të efektivit Gentian Gjeta dhe kanë vendosur tritolin dhe më pas nga një distancë e shkurtër e kanë aktivizuar pasi janë larguar.
Policia vijon këqyrjen e kamerave të sigurisë për të zbuluar të plotë itinerarin e autorëve të cilët kanë qenë të maskuar me skafandër. Ndërkohë efektivi i policisë që ishte shënjestër e sulmit, punon si agjent në sektorin e krimeve në Policinë e Lezhës. Ai ka dhënë dëshminë e tij para grupit hetimor dhe ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt dhe se deri tani nuk ka asnjë dyshim. Edhe nga hetimet e deritanishme nga grupi hetimor rezulton që efektivi i policisë nuk ka konflikte.
Pista kryesore që po hetohet është goditja për shkak të detyrës. Kujtojmë që dy muajt e fundit policia e Lezhës ka zhvilluar operacione të mëdha, duke zbuluar një kazino në mes të qytetit, një magazinë me kanabis ku u asgjësuan mbi një mijë rrënjë kanabis, po ashtu janë zhvilluar operacione të shumta për armëmbajtje pa leje dhe kontrolle të territorit.
