Një kovë me përzierje kimike ka alarmuar Policinë e Vlorës, e cila ka vendosur menjëherë perimetrin e sigurisë në zonë. Sipas informacioneve paraprake, ishte ambientalisti Niko Dumani ai që njoftoi autoritetet, pasi konstatoi rrezikun që paraqiste lënda në fjalë.
Sipas Dumanit, bëhet fjalë për një përzierje kimike mes metanit dhe natriumit, e cila ishte ruajtur prej disa vitesh në banesë me synimin për t’u përdorur për laboratorë shkollorë. Ai deklaron se situata doli jashtë kontrollit pasi lënda pati kontakt me energjinë dhe ujin, çka shkaktoi flakë dhe rrezik potencial shpërthimi.
Policia, pasi vlerësoi situatën, njoftoi edhe forcat zjarrfikëse dhe kërkoi largimin e personave nga zona për arsye sigurie. Ambientalisti tha për mediat se; “Kisha të grumbulluar prej 10 vitesh metal natrium, ku përdoret te shkolla që kam punuar. Doja ta shpërndarja te shkollat, por nuk kam pasur mundësi. Tani kërkova që atë kovën ta çojmë diku në një vend të hapur, por akoma s’po gjejnë një makinë të që ta transportojnë.”.
Autoritetet po vijojnë verifikimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe nivelin e rrezikut që ka paraqitur kjo përzierje kimike.
