Përpara ambienteve të SPAK, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, lëshoi akuza të forta ndaj Edi Ramës dhe Irena Gjokës. Gjatë fjalës së tij Berisha komentoi edhe ndryshimet në Kodin Penal që ka propozuar Rama, për të mbrojtur Belinda Ballukun, duke e cilësuar si moment kritik për shtetin ligjor dhe integrimin europian të vendit, duke deklaruar se ‘Edi Rama i mbylli dyert integrimit për të mbrojtur veten’, ndërsa theksoi se ‘Venecia është shprehur pro pezullimit’, duke iu referuar qëndrimeve të Komisioni i Venecias mbi çështjen e pezullimit në funksion të hetimeve. Berisha foli edhe për mesazhin që la në SPAK. Gjithashtu ai bëri publik edhe listën e kërkesave të firmosura për hetime të gjera ndaj tij dhe familjarëve të tij, të cilat sipas tij shtrihen në mënyrë absurde ‘edhe katër vite para lindjes së mbesave të mia’. Sipas Berishës, brenda një dite janë dërguar ‘16 kërkesa për hetim 30-vjeçar’, të cilat ai i konsideroi si pjesë të një procesi politik dhe jo juridik. Duke iu referuar dosjes ‘Partizani’, lideri i demokratëve e cilësoi atë si ‘një piramidë’ dhe paraqiti një botim që dokumenton ‘35 falsifikime’ në procesin hetimor, duke përmendur emra konkretë të prokurorëve dhe gjyqtarëve që, sipas tij, kanë manipuluar procedurën. Ai deklaroi se ‘secili prej tyre përbën krim të rëndë në procesin e dosjes Partizani’, duke nënvizuar se materiali do të shpërndahet në formë dixhitale për publikun dhe median. Berisha reagoi ashpër ndaj nismës së qeverisë për ndryshime ligjore lidhur me imunitetin e ministrave, duke e cilësuar atë si ‘akti më i rëndë, më kriminal, më poshtërues ndaj qytetarëve shqiptarë’. Sipas tij, amendamenti synon të vendosë ministrat ‘mbi ligjin’ dhe përbën ‘goditjen më të rëndë ndaj shtetit ligjor’. Ai paralajmëroi se një hap i tillë do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Duke iu referuar protestës së paralajmëruar më 20 shkurt, Berisha deklaroi se 20 shkurti do jetë dita e kryengritjes së madhe kundër korrupsionit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds