Maria Franca Ferrero, e veja e industrialistit të njohur Michele Ferrero dhe një figurë e rëndësishme në historinë e kompanisë Ferrero, është ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare.

Ajo ndërroi jetë në banesën e saj në Alba, në provincën italiane të Cuneos. E lindur më 21 janar 1939 në Savigliano, Maria Franca u arsimua në Milano për përkthim dhe interpretim.

Në vitin 1961 ajo nisi punë si përkthyese në kompaninë Ferrero në Alba, një kompani që në atë kohë ishte në zhvillim e sipër dhe që më pas do të shndërrohej në një gjigant global të industrisë së ëmbëlsirave. Sot, grupi drejtohet nga djali i saj, Giovanni Ferrero.

Historia e saj me Michele Ferrero-n, krijuesin e “Supercrema”-s, produkti që më vonë u shndërrua në Nutella, një nga markat më të shitura në botë konsiderohet një dashuri me shikim të parë. Çifti u martua në vitin 1962. Një vit më pas lindi djali i tyre i parë, Pietro, ndërsa në vitin 1964 erdhi në jetë Giovanni, presidenti aktual i grupit.

Shuhet Maria Franca Ferrero, gruaja që qëndroi pas perandorisë

Sot, Ferrero numëron 36 fabrika prodhimi, operon në mbi 170 vende dhe sipas të dhënave më të fundit, ka regjistruar një xhiro të konsoliduar prej 19.3 miliardë eurosh, me afro 48,700 punonjës në mbarë botën.

Në vitin 2011, djali i saj Pietro ndërroi jetë papritur në Afrikën e Jugut për shkak të një sëmundjeje. Katër vite më vonë, në 2015, ajo humbi edhe bashkëshortin e saj, Michele Ferrero.

Pavarësisht dhimbjes, ajo zgjodhi të qëndrojë larg vëmendjes publike dhe të përkushtohet ndaj veprimtarive bamirëse, për të cilat u vlerësua edhe me çmimin e Fondacionit Kombëtar Italo-Amerikan në SHBA.

Në dhjetor, Mbledhja e Jashtëzakonshme e Aksionarëve të Ferrero International, një prej kompanive holding të grupit ndryshoi statutin për ta emëruar Maria Franca Ferrero Presidente Nderi për Jetën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds