Mirlinda Karçanaj dorëhiqet nga posti i drejtoreshës së AKSHI-t, e akuzuar nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera publike e kryer në bashkëpunim dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.
Në këtë detyrë do ta zëvendësojë Igli Tafa, ndërsa ndaj saj ka një masë sigurie nga GJKKO, arrest shtëpie dhe bllokim pasaporte.
Dorëheqja vjen pas publikimit të investigimit të Inside Story, ku u zbulua skandali i abuzimit me tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit po merr përmasa të reja.
Zbërthimi i materialeve hetimore evidenton përfitime rreth 21 milionë euro të një kompanie të lidhur me kunatin e Ermal Beqirit. Për herë të parë, Inside Story analizoi rolin e ish-zëvendësdrejtorit të AKSHI-t, Daniel Shima, firmëtar në disa prej procedurave që sot janë në verifikim. Dokumentari ndalet tek rrjeti i kompanive të lidhura me persona pranë tij dhe zgjerimi i konsiderueshëm i investimeve të realizuara në të njëjtën periudhë me tenderat.
Një element që ka ngjallur diskutim është fakti se nëna e tij, e cila sipas të dhënave rezultonte me profesion rrobaqepëse dhe me aktivitet ekonomik modest, është shfaqur si aksionere në kompani që më pas kanë realizuar investime të konsiderueshme në troje dhe ndërtime me vlerë miliona euro. Kalimi i aksioneve me vlera minimale dhe ndryshimet e pronësisë në periudha kyçe janë pjesë e analizës së emisionit.
Nga vila rezidenciale, tek troje, ndërtesa shërbimi, pallate, aktivitete tregtare, rrjet lavazhesh dhe kompani në fusha të ndryshme, dokumentet tregojnë një zgjerim ekonomik që përkon me periudhën e tenderave. Historia shtrihet edhe përtej kufijve.
Përmes “ABS Kosova” dhe transaksioneve ndërkufitare, dalin lëvizje që sipas burimeve janë në vëmendjen e autoriteteve të huaja, përfshirë hetues në Gjermani, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Përpos dosjes aktuale, SPAK ka në proces edhe fraksione të tjera hetimore që përfshijnë dhjetëra tendera me vlerë të konsiderueshme. Mes procedurave në verifikim shfaqen sërish kompani dhe firmëtarë që kanë qenë pjesë e strukturës së vendimmarrjes.
