Janë drejt përfundimit punimet për rikonstruktimin e segmentit rrugor “Azem Quka” çka u vjen në ndihmë banorëve. Bashkia Lushnjë investitori i punimeve me vlerë 25.858,350 lekë me TVSH mundësoi transformimin e një zone në të cilën nuk ishte vënë dorë prej vitesh. Gjerësia e rrugës është 5 metër e gjysmë me gjithë bordura, kurse vetëm rruga është e gjerë 4 metër e gjysmë.
Gjithashtu është punuar për ndërtimin e bordurave si dhe trotuareve, rrjetin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza. Akoma nuk është realizuar ndriçimi rrugor si dhe pajisja me sinjalistikën e plotë rrugore.
Shtyllat elektrike janë spostuar me përjashtim të dy të tilla, të cilat janë në mes të trotuarit dhe përbëjnë pengesë për këmbësorët.
Qytetarët bashkëpunuan për prishjen e avllive të vjetra të shtëpive gjatë rrugës dhe ndërtimin e avllive të reja që i japin rrugës pamje më të rregullt.
Dje puna vijoi me hedhjen e shtresës së parë të asfaltit.
Punimet për rikonstruktimin e segmentit rrugor “Azem Quka” filluan në qershor 2025 .
