Disa banorë te fshatit Imshtë mes moshës 65 vjeç dhe 82 vjeç janë thirrur për deklaratë në Komisariatin e Policisë pas konfliktit më 8 shkurt për tokat brenda argjinaturës, ndërkohë të tjerë pa fletëthirrje, kanë qenë të pranishëm jashtë Komisariatit për të mbështetur njëri-tjetrin.
Sipas burimeve, policia ka ndërhyrë pasi banorët kanë kundërshtuar tjetërsimin e tokave që ata i punojnë prej 30 vitesh, nga një pretendues për tokë të blerë brenda argjinaturës duke theksuar se ligji nuk lejon kalimin në pronësi private të tokave që ndodhen brenda zonës së argjinaturës. Nuk lejojmë të na i marrin, janë tokat tona që i punojmë prej vitesh, thanë ata.
Për këto toka mësohet gjithashtu se nuk ka as vendim dhe as dokumentacion për kalimin e tyre tek një tjetër individ juridik apo fizik.
Dy ditë më parë në rrjetet sociale deputeti i PS Erion Braçe denoncoi sipas tij grabitjen e tokës publike për ndërtimin e një parku fotovoltaik në fshatin Imshtë të Lushnjës nga kompania “EuroElektra Sh.p.k,” me pronar Elton Çekrezin.
Deputeti Braçe po në rrjetet sociale tregon se ka marrë kërcënime për denoncimin e bërë, por ai thotë që nuk do tradhëtoj njerëzit dhe interesin publik.
Banorët e Imshtës shprehen të vendosur për të mos lejuar tjetërsimin e këtyre sipërfaqeve, ndërkohë çështja është duke u ndjekur nga Prokuroria e Fierit.
