Bashkia ka organizuar sot një dëgjesë publike për vendosjen e emrit të bibliotekës së qytetit me pjesëmarrjen e anëtarëve të Këshillit Bashkiak, shkrimtarëve dhe qytetarëve. Biblioteka e cila u hap për herë të parë më 30 maj te vitit 1946 deri më sot është quajtur Biblioteka Publike e Lushnjës.
Dy propozimet e bëra nga Lidhja e Shkrimtarëve Dega Lushnjë dhe artisti Gëzim Xhaxhai për vendosjen e emrit të bibliotekës sipas një përfaqësuesi dinjitoz të letrave jo vetëm për qytetin e Lushnjës ishin për shkrimtarin Vath Korreshi dhe për shkrimtarin Faslli Haliti, tha Kryetarja e bashkisë Eriselda Sefa. Më pas ajo u shpreh e hapur për të pranuar edhe propozime për emra të tjerë. Ndërkohë propozimi për emrin e Vath Korreshit u rrëzua, pasi me ligj nuk mund të përdoret, se një gjimnaz edhe një rrugë kanë tashmë emrin e tij.
Kryetari i grupit të opozitës në Këshillin Bashkiak Klement Çela u shpreh se duhen disa kritere dhe synime që ne të zgjedhim kush na përfaqëson më mirë dhe emri sipas tij që na nderon në rang lokal dhe kombëtar është shkrimtari Visar Zhiti.
Zonja Zhaneta Këmbora e Shoqatës “Myzeqeja” gjithashtu përkrah propozimin për vendosjen e emrit të shkrimtarit Visar Zhiti, bibliotekës.
Kryetarja e Lidhjes së Shkrimtarëve dega Lushnjë Emine Boriçi mbështet propozimin për emrin e shkrimtarit Faslli Haliti.
Pas debateve Kryetarja Sefa kërkoi mbajtjen e një dëgjese tjetër për vendosjen e emrit të Bibliotekës Publike të Lushnjës. Emri që do të propozohet në dëgjesë do t’i dërgohet për miratim Këshillit Bashkiak.
