Ngricat në ditët e para të vitit të ri dhe tani përmbytjet e ditëve të fundit kanë shkatërruar një pjesë të madhe të prodhimit dhe fidanëve të sapombjellë në tokat bujqësore dhe serat në Lushnjë. Një pjesë e serrave ishin në kulmin e prodhimit të sezonit të dytë dhe disa të tjera sapo kishin mbjellë fidanët për sezonin e hershëm të pranverës 2026.

Por Emergjencat civile raportuan dje se përveç Lushnjës mijëra hektarë tokë në Lezhë, Shkodër, Berat, Fier dhe Durrës janë përmbytur dhe kanë krijuar një dëm të madh në bujqësi.

Dëmtimi i prodhimit do të sjellë kufizim të furnizimit në tregje. Përvoja ka treguar se në këto raste, çmimet rriten. Përmbytjet në bujqësi nga humbje individuale kthehen në çekuilibrues të ekonomisë kombëtare, me rënie të prodhimit dhe rritje të inflacionit.

Dëmet e krijuara do të mbarten për një kohë të gjatë, pasi në shumë sera, bashkë me prodhimin, janë dëmtuar skeletet dhe plasmasët. Gjithashtu, hyrja e llumit në sera do të vështirësojë rifillimin e punës dhe mbjelljeve gjatë periudhës në vijim.

Fermerët shqiptarë nuk kanë kapacitete për të përballuar fatkeqësitë natyrore, të cilat janë shtuar vitet e fundit, ndërsa qeveria shqiptare ofron mbështetje shumë të ulët në raport me rajonin dhe BE-në.

Gjithashtu, fermat tona nuk i aplikojnë skemat e sigurimit privat, teksa nuk funksionon as mekanizmi i kompensimit nga fatkeqësitë natyrore.

Emergjencat civile pohuan se rreth 3000 ha tokë bujqësore janë nën ujë në Lezhë. Në Berat, rreth 95 ha tokë bujqësore ishte nën ujë dhe rreth 200 ha tokë bujqësore e përmbytur ishte në Fier.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *