Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, ka dhënë masën e sigurisë me ‘arrest me burg’ për katër autorët e dyshuar të vrasjes me tritol të 67-vjeçarit, Hysni Ymeri. Gert Bushtati, ka pranuar se është personi që ka vendosur sasinë e eksplozivit me datë në panelin e matësve elektrik, e cila shpërtheu dy ditë më pas duke i marrë jetën 67 vjeçarit. Në fjalën e tij në gjyq, Bushati ka thënë se tre persona të tjerë të arrestuar Edison Hasaj, Gjergj Zefi dhe Ergys Ibrahimi janë personat që e kanë kontaktuar për të vendosur sasinë atë të tritolit.
Gjykata dha masën e sigurisë me ‘arrest me burg’ edhe për Gjergj Zefi, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj, si të dyshuar bashkëpunues në vrasjen e Hysni Ymerit. Ndonëse tre të fundit nuk e kanë pranuar ngjarjen në polici, në gjykatë janë përfaqësuar nga mbrojtja e tyre. Sipas tyre, ata nuk kanë asnjë lidhje me tritolin dhe kanë mohuar se mund të jenë ata porositësit e Gert Bushatit.
Kush është Hysni Ymeri ?
67-vjeçari Hysni Ymeri është vëllai i një personi të dënuar me burg për një vrasje të ndodhur shumë vite më parë në Shkodër. Konkretisht, në vitin 1995 në Kiras është vrarë Shefqet Çekorja nga vëllai i Hysni Ymerit. Pas asaj ngjarje autori është arrestuar nga policia e cila e zbardhi atë vrasje dhe është dënuar nga gjykata.
Ndërkohë disa vite më pas, dy familjet kanë shtrirë dorën e pajtimit. Shefqet Çekorja është vëllai i Ismet Çekores që u vra në shtatorin e vitit 2022 në afërsi të banesës. Djali i Hysni Ymerit i cili jeton jashtë Shqipërisë ka ardhur me 25 dhjetor për shkak se nëna e tij vuan nga kanceri dhe mjekët nuk i kanë dhënë shumë kohë për jetën nënës.
Ndërkohë që edhe sot përpara ngjarjes, ai ndodhej në spital me nënën. 67-vjeçari pasi ka pirë një kafe si çdo ditë me shokët e lagjes është çuar nga lokali për të shkuar në shtëpi dhe më pas në spital tek bashkëshortja por sapo është futur brenda hyrjes së pallatit në katin e parë ndodhi shpërthimi i fuqishëm.
Hysni Ymeri deri në spital ka shkuar gjallë, por fatkeqësisht nuk ka mundur tu mbijetojë plagëve të rënda në kokë. Gjithashtu, disa vite më parë djali i xhaxhait i Hysni Ymerit vrau bashkëshorten e tij dhe më pas qëlloi edhe vetveten. Ndërkohë një kushëri tjetër, shtetasi Dritan Ymeri vrau në 2017 shtetasin Ilir Aliaj, mjek në profesion në Shkodër pas një konflikti pronësie.
